Aksioni për dosjen AKSHI, RENEA kontrollon bazat e “Visit të Pojës” në Durrës

Operacioni i SPAK në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t është shtrirë edhe në Durrës, ku forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në zonën e Shkozetit, përfshirë ambiente dhe banesa të lidhura me familjen Troplini dhe Elvis Doçin, i njohur si “Visi i Pojës”.
Sipas raportimeve, kontrollet janë kryer te Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”, si dhe në banesën e nipit të tij, Elvis Doçi. Ky i fundit është në kërkim nga SPAK në kuadër të një hetimi për grup të strukturuar kriminal.
Operacioni në Shkozet është zhvilluar paraditen e së martës, 22 shtator. Në zonë janë angazhuar forca të shumta policore, përfshirë RENEA-n dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Sipas raportimeve, kontrollet kanë zgjatur rreth dy orë dhe janë sekuestruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë së zonës.
Veprimet në Durrës janë pjesë e operacionit të gjerë të SPAK të zhvilluar gjatë së njëjtës ditë në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen AKSHI. Kontrollet janë shtrirë edhe në Tiranë, përfshirë banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Ndërkohë, ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, GJKKO ka caktuar masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra. Sipas raportimeve të publikuara sot, Hyseni dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar gjithashtu Fatjon Kalluçi, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe biznesmeni Embro Sulejmani.
Zhvillimet e reja lidhen me hetimet ndaj Ergys Agasit dhe materialet e administruara pas arrestimit të tij. Sipas raportimeve, këqyrja e telefonave të Agasit dhe Uljan Shpatarakut u ka dhënë hetuesve të dhëna për persona të tjerë dhe ka zgjeruar hetimin.