Ditën e sotme, gjatë mbledhjes së Komisionit të Shëndetësisë, ka patur përplasje mes deputetes së PD, Albana Vokshi dhe deputetit socialist, Ilirjan Pendavinji. Vokshi ka ngritur zërin sa i takon mospranisë së disa zyrtarëve të mazhorancës, të cilët duhet t’u përgjigjeshin pyetjeve lidhur me helmimin e qytetarëve në Krujë.
“Rastet e helmimit në Krujë duhen diskutuar këtu. Edhe ministri i mbrojtjes duhet të ishte këtu. Edhe kryetari i Krujës këtu. Si të themi që nuk thërrasim dot kryebashkiakun e Krujës?”, deklaroi Vokshi.
Nga ana tjetër deputeti Pendavinji i është drejtuar me një ton ofendues Vokshit, duke i thënë se thjesht po bën rolin e zhurmuesit.
Më tej Vokshi tha se për shkak të mospranisë së ministres Kushi ka vendosur zhvendosjen e dëgjesës për ditën e mërkurë.
“Kemi qenë unë, ti dhe Klodi për të kërkuar që për të mos i marrë kohën ministreve, kërkuam ta bënim së bashku me komisionin e arsimit dëgjesën me dy ministret. Kam marrë zotin Gjekmarkaj në telefon dhe më ka thënë që mazhoranca nuk dëshironte të bënte këtë dëgjesë. Kështu që ne vendosëm që të bënim dëgjesën te ne, është kërkuar me dy ministret, ato të arsimit dhe shëndetësisë. Për aq kohë sa ministrja nuk paraqitet, unë në përgjegjësinë si kryetare e komisionit, e kam zhvendosur të njëjtën dëgjesë të mërkurën. Nëse ministrja vjen sot, atëhere dakord, nëse nuk bëhet dot, të vijë ministrja e Arsimit bashkë me stafin duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve”, tha Vokshi.