Prokurorët austriakë kanë bastisur zyrat e partisë konservatore të kancelarit Sebastian Kurz.
Sipas mediave austriake bastisja ka ardhur pasi dyshohet se është i përfshirë në afera korruptive, sipas të cilave përfshin pagesat shtetërore për reklamat në gazeta.
Ky hetim i ka shtuar “dhimbjet e kokës” kancelarit, sepse përpara disa kohësh prokurorët hapën një hetim posaçërisht për të në maj, nën akuzën “dëshmi e rreme”.
Mësohet se është bastisur edhe departamenti i Ministrisë së Financave, sipas informacioneve kofidenciale që ka dhënë një zëdhënës i ministrisë.
Bastisjet vijnë gjithashtu një javë pasi Partia Popullore (OVP) tha se kishte marrë pyetje të shumta nga gazetarët në lidhje me një bastisje të mundshme të zyrave të saj. OVP ka akuzuar në mënyrë të përsëritur prokurorët kundër korrupsionit për anshmëri ndaj tij dhe Kurz, gjë që prokurorët dhe gjykatat e mohojnë.
“Akuza të tjera po fabrikohen për ngjarje, disa prej të cilave ishin pesë vjet më parë. Kjo vazhdon të ndodhë me të njëjtin qëllim dhe metodë: të dëmtojë seriozisht Partinë Popullore dhe Sebastian Kurz,” tha nënkryetarja e OVP, Gaby Schwarz në një deklaratë për mediat.
Schwarz tha se një bastisje e ngjashme ishte kryer në selinë e OVP në 2013 dhe në hetimet e asaj kohe nuk u gjet “asgjë inkriminuese”.
Nga ana tjetër zyra e prokurorëve kundër korrupsionit nuk ka pranuar të komentojë përë rastin në fjalë.
Po ashtu një zëdhënës i lartë ka konfirmuar se janë bastisur zyrat dhe shtëpitë e kreut të marrëdhënieve me mediat dhe të një ndihmësi të lartë të kancelarit, pa dhënë asnjë shpjegim.
Mediat austriake raportuan se prokurorët po vepronin nën dyshimin për korrupsion që përfshinte pagesat e qeverisë për reklamat në gazeta në këmbim të mbulimit ose votimit të favorshëm.
E përditshmja tabloid Oesterreich mohoi se kishte marrë pagesa qeveritare për reklama në këmbim të publikimit të sondazheve të opinionit, duke shtuar se prokurorët kundër korrupsionit po hetonin në bazë të “keqkuptimeve të dukshme serioze”.
Buxhetet e mëdha të ministrive austriake për reklamat në gazeta janë identifikuar prej kohësh si një burim i mundshëm i ndikimit të panevojshëm në media.