Atentat në Fier/ Ekzekutohet në oborrin e banesës Selami Hasani, i dënuar për vrasjen e nipit të “Ben Qimes”, plagoset edhe vëllai i tij

Një atentat me armë zjarri ka tronditur Fierin mëngjesin e kësaj të hëne, 23 nëntor, ku është ekzekutuar Selami Hasani, i njohur edhe si “Sel Çami”, ndërsa ka mbetur i plagosur vëllai i tij. Viktima ishte dënuar më parë me 25 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40, në oborrin e banesës së Hasanit, në lagjen “1 Maji” të Fierit. Persona ende të paidentifikuar hapën zjarr ndaj tij dhe vëllait, duke lënë të vrarë Selami Hasanin dhe të plagosur J. H., i cili u transportua në spital për ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas atentatit, autorët u larguan nga vendngjarja. Në fshatin Dermenas, policia gjeti një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se është përdorur prej tyre për t’u larguar. Forcat e policisë kanë nisur kontrollet dhe krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kush ishte Selami Hasani?
Selami Hasani ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt dhe Esat Tazes, ngjarje e ndodhur më 25 mars 2002 në qendër të Fierit, ku mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë.
Hasani u arrestua në gusht të vitit 2009 gjatë një operacioni të forcave RENEA në banesën e tij. Pavarësisht dënimit me 25 vite burg, sipas raportimeve të mëparshme, ai ishte liruar në fund të vitit 2021, pasi kishte qëndruar rreth 11 vite në qeli.
E kaluara e tij lidhej me konfliktet e përgjakshme mes familjeve Hasani dhe Isufaj, por ende nuk është konfirmuar nëse atentati i sotëm ka lidhje me këto përplasje.
Policia dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri në njoftimin e fundit zyrtar, autorët nuk janë identifikuar dhe motivi i vrasjes mbetet i paqartë.