Shtetet e Bashkuara do të godasin me masa ndëshkimore regjimin e Presidentit autoritar të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, i cili u takua me udhëheqësin rus Vladimir Putin të premten ndërkohë që është nën kritika të forta nga Perëndimi për devijimin me forcë të një avioni pasagjerësh.
Javën e kaluar Bjellorusia e detyroi një avion pasagjerësh të kompanisë Ryanair të ndryshonte itinerarin dhe të ulej në Minsk, pas një skenari të sajuar se kishte bombë në bord. Qëllimi ishte arrestimi i një gazetari që njihet si kritik i zëshëm i regjimit.
Shtëpia e Bardhë i njoftoi masat ndëshkimore të premten. Zëdhënësja Jen Psaki bëri gjithashtu thirrje për “hetime të mirëfillta lidhur me ngjarjet e 23 majit” të cilat i cilësoi si një “goditje e drejtpëdrejtë ndaj normave ndërkombëtare”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se po bashkëpunon me Bashkimin Evropian për një listë sanksionesh të shenjestruara tek figura kyçe të regjimit bjellorus.
Ndërkaq, më 3 qershor hyjnë në zbatim sanksionet ekonomike që njoftoi Uashingtoni në prill kundër disa ndërmarrjeve shtetërore bjelloruse, të vendosura si rezultat i shtypjes me dhunë të protestave pro-demokracisë nga autoritetet bjelloruse.
Kujtojmë se është arrestuar gazetari bjellorus i cili është një nga themeluesit e medias opozitare NEXTA, që është bërë një nga burimet kryesore të lajmeve për protestat në Bjellorusi. Gazetari ndihmoi në koordinimin e protestave dhe konsiderohet kundërshtar i qeverisë së vendit pasi ka mbuluar përgjatë gjithë vitit 2020 demonstratat anti-qeveritare. KGB e ka futur atë në listën e terroristëve. Nga Bjellorusia, Protasevich përballet me akuza ekstremizmi, duke përfshirë organizimin e trazirave masive dhe nxitjen e urrejtjes shoqërore, lidhur me protestat në fund të vitit të kaluar. Ai i mohon këto akuza por mund të përballet me 15 vjet burg nëse dënohet.