99 vota pro, asnjë kundër/ Kuvendi i Kosovës sfidon Specialen për ish-krerët e UÇK-së: Të mbrohet e vërteta e luftës

Kuvendi i Kosovës ka dalë me një qëndrim të përbashkët kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Deklarata u miratua me 99 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, duke bashkuar deputetët rreth kërkesës për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare.
Teksti, i harmonizuar mes grupeve parlamentare, u lexua në seancë nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Në dokument, Kuvendi shpreh “shqetësimin e tij të thellë” për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit dhe e konsideron të papranueshëm përfundimin e trupit gjykues për ekzistencën e një “qëllimi kriminal të përbashkët”.
Përmes deklaratës, Kuvendi kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe pastërtisë së luftës çlirimtare. Parlamenti kërkon gjithashtu hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, përmes së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike lidhur me këtë çështje.
Deklarata ndalet edhe te lufta e viteve 1998–1999, duke theksuar se ekzistenca e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë.
“Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Kuvendi i drejtohet edhe Dhomave të Specializuara në Hagë, duke u kërkuar që të respektojnë mandatin e tyre në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në deklaratë kundërshtohet gjithashtu “çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”.
Dokumenti mbyllet me zotimin e Kuvendit se do të mbrojë njëkohësisht të vërtetën e luftës, drejtësinë për viktimat dhe të drejtën për gjykim të drejtë:
“E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.”