Skip to content
Kronikë

2 vite nga tërmeti i 26 nëntorit, 51 persona ndërruan jetë nën rrënoja

· 3 min lexim

Dita e sotme shënon dy vite nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit që tronditi shqipërinë dhe i mori jetën 51 personave.

Në orën 03:56 ndodhi lëkundja e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda, goditi Durrësin dhe Tiranën dhe disa bashki të tjera, duke iu marrë jetën 51 personave dhe plagosur qindra të tjerë.

Epiqendra e tërmetit 6.4 ballë, ishte në Durrës. Fillimisht vendi u godit nga një valë më pak e fuqishme për t’u ndjekur nga një tjetër që u ndje në gjithë vendin dhe përreth. Qindra godina u shembën duke zënë poshtë qytetarë, pak prej të cilëve ishin aq me fat saqë t’i mbijetonin orëve të tëra në mungesë oksigjeni dhe peshë mbi trupat e tyre.

51 persona humbën jetën nën rrënoja, 25 në Durrës, 25 në Thumanë dhe 1 në Lezhë. Midis viktimave ishin dhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç. Ndërkohë, pas tërmetit humbën jetën edhe 2 persona nga Kurbin, njëri në spital nga plagosjet gjatë lëkundjeve dhe një tjetër përmes vetëvrasjes, për shkak të stresit post-traumatik.

Pasojat u ndjenë në shumë bashki; Shijak, Krujë, Kamëz, Kavajë, Kurbin, Lezhë, Rrogozhinë dhe Mirditë. Dëmet më të mëdha u regjistruan në Kodër-Thumanë, ku u shemb një pallat 5 katësh, ndërkohë që dëme të mëdha përjetoi edhe Laçi.

Hetimet për cilësinë e ndërtimeve apo shkeljen e rregullave në ndërtim janë duke vazhduar në shumicën e prokurorive të vendit.

Burime bëjnë me dije se e vetmja prokurori që ka mbyllur hetimet është ajo e Durrësit, ku dosja është dërguar në Gjykatë.

Për ndërtimet në Durrës janë marrë si të pandehur 16 persona, ish-zyrtarë, ndërsa është pushuar çështja për 2 të tjerë. Burime kanë thënë më herët se hetimet janë kryer për 7 ndërtime, shembja e të cilave u mori jetën 23 personave.

Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës, ka përfunduar hetimet vetëm për zonën e Farkës, ndërsa në Lezhë dhe në Krujë vijojnë ende hetimet.

Gjurmët e natës së 26 nëntorit të dy viteve më parë janë në kujtesën e kujtdo, që sot kujton se jeta dhe vdekja ndahen me pak sekonda.

Kryeministri Edi Rama kujtoi mëngjesin e sotëm tërmetin tragjjik, duke e cilësuar si një nga fatkeqësitë më të mëdha të vendit. Kryeministri shton se mbetet mirënjohës për të gjithë ato shtete që u solidarizuan me të goditurit nga fatkeqësia, dhe premton se do të vijojnë të punojnë për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë.