Skip to content
Kryesore

120 ditë protesta, Rama nuk dorëhiqet/ Anulon konferencën, lë gazetarët jashtë dhe sulmon mediat e drejtësinë: Për Hysenin, sërish “fajin e kanë të tjerët”

· 9 min lexim

Në ditën e 120-të të protestës kundër qeverisë, me qytetarët që vijojnë t’i kërkojnë dorëheqjen, Edi Rama u kthye nga Shtetet e Bashkuara dhe zgjodhi të mos përballej me gazetarët. Konferenca e paralajmëruar në aeroportin “Nënë Tereza” u anulua, gazetarët u lanë jashtë, ndërsa kryeministri foli përmes një video-mesazhi të prodhuar dhe shpërndarë nga regjia e Kryeministrisë.

Pra, në një moment kur pyetjet ndaj qeverisë janë më të rënda se kurrë, Rama zgjodhi formatin më komod për pushtetin: kamera po, gazetarë jo; deklarata po, pyetje jo.

Dhe pyetjet janë të shumta.

Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, po hetohet nga SPAK nën dyshimin se i ka dorëzuar informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar në dosjen “AKSHI”.

Por përballë këtij zhvillimi, Rama u kthye sërish te refreni që e ka shoqëruar sa herë drejtësia ka trokitur pranë pushtetit të tij: përgjegjësia është individuale.

“Zhvillimet e fundit të arrestit të ish-drejtueses së SHISH do duhet të kishin një shpjegim. Ishte një masë ekstreme, por nuk kam të drejtë të vlerësoj se pse Prokuroria ka kërkuar arrestin. Nuk e kam bërë dhe nuk do e bëj, që të ndërhyj në çështjet e drejtësisë. Çdo akuzë duhet që të çohet deri në fund.”

Por në vend që pesha e mesazhit të binte mbi përgjegjësinë politike për atë që ka ndodhur në një prej institucioneve më sensitive të shtetit, kryeministri e zhvendosi shënjestrën. Fajtorët e radhës në fjalimin e tij u bënë media, rrjetet sociale dhe mënyra se si drejtësia administron sekretin hetimor.

“Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo qoftë që s’ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo me opinion e krye as në foltoren e Kryeministrit. Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj. Në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur. Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht. Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre.”

Një skemë komunikimi tashmë e njohur: kur skandali godet pushtetin, debati zhvendoset nga skandali te mënyra si u publikua; nga përgjegjësia politike te media që e raporton; nga njerëzit e vendosur në poste kyçe te prokurorët dhe gjykatësit që i hetojnë.

Rama vijoi:

“Nuk është hera e parë në historinë e botës që shefi i një shërbimi sekret merret i pandehur, por e para që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar dhe ndërkombëtar thashethemesh mediatike për shkak të mosmarrjes së atyre masave që shtetet marrin. Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Mbrojtja e SHISH dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e gjithë shtetit. Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet si ndarje nga mbikëqyrja shtetërore. Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Besoj se Këshilli i Sigurisë i thirrur nesër është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale.”

Por Rama nuk mund ta shkëpusë historinë e Vlora Hysenit nga historia e pushtetit të tij, sepse vetë ai pranoi se Hyseni kishte punuar pranë tij si këshilltare përpara se të merrte drejtimin e SHISH.

“Orvatjet për ta shpjeguar emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH-it me lloj-lloj fantazish konspirative s’kanë lidhje me të vërtetën. E vërteta është e thjeshtë. Ka nisur të punojë pranë meje në rolin e këshilltares. Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar në referenca të shkëlqyera të marra nga shërbime partnere, ajo është emëruar drejtuese e SHISH-it.

As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e SHISH-it ka hapur një llogari të vështirë me drejtësinë, veçse ka hyrë në një borxh të madh moral në këtë vend.

Por, po ashtu, as nuk diskutohet që ky vend nuk bëhet kurrsesi më i drejtë kur njerëzit e sotëm nën hetim nga prokuroria linçohen në tezgat mediatike, as kjo shoqëri nuk bëhet kurrsesi më e mirë kur i fryn zjarrit të atyre turrave.”

Këtu bie edhe alibia politike e distancës. Vlora Hyseni nuk ishte një nëpunëse periferike që Rama e zbuloi nga televizori. Ajo kishte punuar pranë tij, ishte vlerësuar prej tij dhe më pas kishte marrë drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të inteligjencës në vend. Vetë Rama e konfirmoi këtë sot.

Megjithatë, sapo drejtësia trokiti te ish-drejtuesja e SHISH, lidhja politike u pre me një fjali: “çështje individuale”.

“Drejtësia nuk mund ta luftojë paligjshmërinë në oborrin e sipërmarrjes apo krimit pa adresuar paligjshmërinë në oborrin e vet. Pavarësia e drejtësisë s’mund të shfaqet si shkëputje nga Kushtetuta dhe shpërfillje. Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë, gjykata të gjykojë, media të zbulojë dhe informojë, por askush s’ka të drejtë ta shpallë tjetrin fajtor dhe ta dehumanizojë. Shteti ligjor ndërtohet me kurajën për të hetuar të fuqishmin dhe sigurinë për të mbrojtur të drejtat e njeriut që heton. Për sa më takon, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së SHISH, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar.”

Në fakt, Rama kishte shumë për të shtuar. Jo për përgjegjësinë e tij, por për të sulmuar ata që publikojnë dhe hetojnë.

“Askush nuk mund të pretendojë që sekretin hetimor ta ruajnë mediat. Problemi nuk nis te zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane. Ata përdoren nga prokurorët dhe gjykatësit për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa nisur gjyqi, njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet formalitet. Ky problem, që nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, nuk mund të anashkalohet.”

Pra, kryeministri që deklaron se nuk ndërhyn në drejtësi, në të njëjtin video-mesazh akuzon prokurorë dhe gjykatës se përdorin gazetarët për t’i shpallur njerëzit fajtorë dhe e krahason këtë mekanizëm me një diktaturë.

Ndërkohë, gazetarëve që mund ta pyesnin për këto deklarata nuk iu dha mundësia. Ata qëndruan jashtë aeroportit, ndërsa Rama foli i vetëm para kamerës së Kryeministrisë.

Edhe për pyetjen se si mund të mos dijë kryeministri se çfarë ndodh me njerëzit që ai vendos pranë vetes dhe në poste të larta, Rama kishte gati një tjetër mburojë.

“Premtova rilindjen e një Shqipërie të rrënuar dhe shtetbërjen, jo një qeverisje që askush s’do shkelë kurrë në dërrasë të kalbur dhe një administratë navëngjëlore. E mbi të gjitha, u zotova për fundin e pandëshkueshmërisë për njerëzit e pushtetshëm.

Ky është ndryshimi historik që po ndodh. Pyetja me vend nuk është: Si ka mundësi që të mos e dijë kryeministri? Por: Si mund ta dijë që vartësi i tij po mendon ta shkelë ligjin?

Kryeministri s’e ka të mundur të parashikojë sjelljen e një individi dhe as të përgjojë se çfarë bëjnë në rrogozë, dhe as të lexojë mendjen e dikujt kur kurdiset, kur fillon të mendojë stërprapthi.

Ndaj e kam kërkuar unë reformën në drejtësi dhe e mbështes me vullnet, pavarësisht lajthitjeve të saj, sado të dhimbshme dhe aq të kuptueshme.”

Dhe më tej:

“Si mund të them prapë e prapë se ‘mi hëngrën dardhat pas shpine’? Sipas kësaj, kryefajtori i çdo rasti jam unë. Unë që e desha reformën në drejtësi, kur askush nuk e besonte. Që e udhëhoqa kur askush nuk e donte dhe që e mbroj si asnjë tjetër. Një kryeministër nuk gjykohet dot me pretendimin absurd që asnjë njeri i lidhur me të nuk do ta shkelë kurrë ligjin, se përndryshe shkelësi është ai vetë. Kryeministri dhe qeveria gjykohen nga qëndrimi që mbajnë kur hapet llogari me drejtësinë për dikë mes tyre apo pranë tyre. A e justifikojnë, a e mbrojnë, a i kundërvihen drejtësisë, apo e lënë drejtësinë të bëjë punën e saj?”

Por problemi politik që Rama përpiqet ta reduktojë në sjelljen e izoluar të individëve është shumë më i gjerë. Kur emrat ndryshojnë, por skema e përgjigjes së kryeministrit mbetet gjithmonë e njëjtë, “përgjegjësi individuale”, pyetja nuk është më vetëm çfarë bëri një vartës. Pyetja është çfarë përgjegjësie mban njeriu që ka ngritur, drejtuar dhe kontrolluar politikisht këtë sistem pushteti.

Rama kërkon meritën kur flet për reformën në drejtësi, emërimet dhe “shtetbërjen”, por kur njerëzit e afërt me pushtetin përfundojnë nën hetim, përgjegjësia ndahet menjëherë nga maja dhe bëhet individuale. Merita ngjitet lart; përgjegjësia zbret poshtë.

Kjo është edhe arsyeja pse rasti Hyseni nuk mund të trajtohet politikisht vetëm me formulën “ajo ka punë me drejtësinë”. Sepse Hyseni kaloi nga zyra pranë kryeministrit në majën e SHISH-it. Sot vetë Rama e pranoi rrugëtimin e saj nga këshilltare pranë tij drejt drejtimit të shërbimit sekret.

Por pas 120 ditësh protestë, Rama jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por vijon të sillet sikur përgjegjësia politike ndalon gjithmonë një derë përpara zyrës së tij.

Kur shpërthen një çështje, përgjegjësia është individuale. Kur dalin të dhënat, problemi bëhet media. Kur materialet publikohen, problemi bëhet sekreti hetimor. Kur drejtësia vepron, gjenden “lajthitjet” e saj. Kur kërkohet llogari nga kryeministri, përgjigjja është se ai nuk mund të “lexojë mendjen” e vartësve.

Dhe kur gazetarët presin ta pyesin drejtpërdrejt, konferenca anulohet.

Kështu u kthye Edi Rama në Shqipëri në ditën e 120-të të protestës kundër tij: jo përballë gazetarëve, por përballë kamerës së vet; jo duke marrë përgjegjësi politike për njerëzit që vetë ka afruar dhe promovuar, por duke përsëritur “përgjegjësinë individuale”; jo duke iu përgjigjur kërkesës për dorëheqje, por duke gjetur përsëri përgjegjësi te media, te prokurorët, te gjykatësit dhe te vartësit.

Pas 120 ditësh, refreni mbetet i njëjtë. Vetëm emrat e atyre që përfundojnë përballë drejtësisë ndryshojnë.