Spiropali sfidon Ramën pas përjashtimit nga PS: Të hapet gara pas 17 vitesh, pushteti është përqendruar në një dorë

Një ditë pas vendimit për përjashtimin e saj, Spiropali e lidhi largimin me qëndrimet e saj politike dhe kritikat ndaj mënyrës së qeverisjes, ndërsa e cilësoi vendimin një dekoratë.
“Jam e para grua në 35 vite që përjashtohem, po e marr si dekoratë këtë, meqë kam qenë dhe kryetarja më e re e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk ka asgjë për t’u habitur për sa kohë ata që duhet të ikin rrinë dhe ata që duhet të rrinë ikin. Mendoj se do kemi shumë për të parë ende”, deklaroi ajo.
Spiropali kundërshtoi edhe mënyrën se si u mor vendimi, duke pretenduar se në Asamblenë Kombëtare nuk ishte zhvilluar votim dhe se asaj nuk i ishte dhënë mundësia të mbrohej, pavarësisht kërkesave të disa kolegëve.
“Kolegë të nderuar kërkuan që unë minimalisht të isha aty dhe të flisja, por nuk u dha as kjo mundësi. Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, le më veprime. Gratë nuk janë fasadë për t’i vendosur aty kur ka fushatë e të duken bukur”, u shpreh Spiropali.
Ajo e krahasoi procedurën me praktikat e Koçi Xoxes, duke e cilësuar vendimmarrjen shprehje të arbitraritetit ekstrem të një grupi të vogël njerëzish.
Sfida ndaj Ramës: Të hapet gara në PS, nuk ka kryetar të përjetshëm
Spiropali deklaroi se mbetet socialiste dhe se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati parlamentar. Ajo kërkoi hapjen e garës për kreun e Partisë Socialiste, duke sfiduar drejtpërdrejt drejtimin aktual.
“Nuk e di a më do apo jo Edi Rama, unë di që më duan socialistët, sepse kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër. Jam një e majtë, një socialiste, një progresiste e bindur në vlerat e mia. Nëse duhet një garë, atëherë të hapet gara në PS pas 17 vitesh. Ne nuk kemi kryetar të përjetshëm, sado ta duam, sado i mirë të jetë, sado të ketë bërë për vendin. Statuti nuk është Bibël…”, deklaroi ajo.
Pranon përgjegjësinë për përqendrimin e pushtetit
Ish-kryetarja e Kuvendit pranoi se edhe ajo ka përgjegjësi për konsolidimin e modelit aktual të qeverisjes, ku, sipas saj, partia, qeveria dhe pushteti janë përqendruar në një dorë.
“Kam dhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit, të konsoliduar ekstremisht në një dorë, të partisë, qeverisë dhe të pushtetit të një njeriu. Kjo është përtej Edi Ramës dhe raportit personal”, tha Spiropali.
Ajo e lidhi këtë model edhe me protestat e të rinjve, duke theksuar se pushteti nuk mund të mbështetet vetëm te numri i mandateve, nëse mungojnë besimi dhe respektimi i të drejtave.
“E ka treguar historia botërore që pushtetet nuk mbahen nga muret, por nga respektimi i të drejtave. Mbaj edhe faj, por edhe krenari për të shkuarën time”, u shpreh ajo.
Spiropali paralajmëroi gjithashtu se situata do të përkeqësohet nëse Partia Socialiste nuk ndërmerr reforma të brendshme.
Për Belinda Ballukun:
Duke komentuar edhe situatën e Belinda Ballukut, Spiropali deklaroi se nuk e konsideron atë kundërshtare personale, por viktimë të mënyrës se si funksionon pushteti.
“Bela, Lali, Bela, Elisa. Vihen përballë njëri-tjetrit në këtë model njerëz, për çfarë? Që ky pushtet i madh të vazhdojë të qëndrojë në këmbë. Këtu nuk ka lidhje me emrin, madje kam keqardhje për personin në fjalë që ma vini përballë, sepse ju mund të mendoni që unë e mendoj xhelat, por unë e mendoj viktimë, viktimë të këtij modeli që nuk pyet për procedura, nuk pyet për ligje, integritet, nuk ka kufij për mënyrën se si e ushtron pushtetin”, deklaroi ajo.
Sipas Spiropalit, problemi është më i thellë se përgjegjësia e individëve dhe lidhet me një sistem që lejon ushtrimin e pushtetit pa kufizime dhe kontroll institucional.
“Pushteti absolut korrupton tërësisht dhe nuk ka përjashtime nga kjo, në asnjë vend të botës. Nuk janë kumbullat, dardhat, mollët, është bahçja që kontaminohet dhe më pas, përgjegjësia. A duhet të mbajmë përgjegjësi? Patjetër, si kaloka kjo pa përgjegjësi?”, theksoi ajo.
Në përfundim, Spiropali kërkoi çrrënjosjen e modelit aktual të qeverisjes dhe rikthimin e socialistëve në proceset vendimmarrëse, duke pretenduar se strukturat e partisë janë përjashtuar nga ushtrimi real i pushtetit.
“Nuk duhet ta hedhim gjithë trashëgiminë tonë në kosh dhe nuk duhet që PS të katandiset si të tjerat. Në këtë pikë ne duhet të çrrënjosim këtë model, t’i ofrojmë Shqipërisë diçka tjetër. Pse duhet të vuajë PS që të thirret nën armë kur s’ka qenë fare pjesë e vendimmarrjeve? Socialistët janë tërësisht të përjashtuar nga ndarja e pushtetit”, përfundoi Spiropali.