Skip to content
Kryesore

U nxor nga spitali dhe u braktis në një barakë, më pas ndërroi jetë/ KMD konstaton diskriminim të rëndë ndaj 52-vjeçarit në Durrës

· 3 min lexim
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) ka konstatuar diskriminim të rëndë në trajtimin e 52-vjeçarit Artan Andoni, i cili ndërroi jetë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Pacienti ishte nxjerrë nga Spitali Rajonal i Durrësit dhe ishte lënë në një barakë në Portin e Peshkimit, pa iu garantuar kujdesi i nevojshëm shëndetësor dhe social.

Rasti, i cili u bë publik në fund të korrikut 2026, ka nxjerrë në pah shkelje serioze në mënyrën se si institucionet përgjegjëse trajtuan një pacient në gjendje të rënduar shëndetësore, pa një vend të sigurt ku të qëndronte.

Sipas vendimit të KMD-së, Artan Andoni kishte marrë fillimisht trajtim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe më pas ishte shtruar në Spitalin Rajonal të Durrësit. Më 27 korrik, ai u nxor nga spitali, megjithëse nuk ishte siguruar një zgjidhje për strehimin dhe vazhdimësinë e kujdesit ndaj tij.

Hetimi administrativ ka zbardhur se 52-vjeçari u transportua me autoambulancë drejt banesës së një familjari. Pasi familjari deklaroi se nuk kishte mundësi ta mbante, pacienti u dërgua në Portin e Peshkimit në Durrës, ku u la në një barakë.

Sipas dëshmisë së infermierit që e shoqëronte, gjatë këtij procesi ishte e pranishme edhe Policia e Shtetit.

Vetëm një ditë më vonë, më 28 korrik, pas një telefonate për ndihmë urgjente, Artan Andoni u transportua sërish drejt spitalit. Gjendja e tij kërkoi një tjetër ndërhyrje kirurgjikale, gjatë së cilës mjekët i amputuan njërën këmbë.

KMD ka evidentuar shkelje serioze në procedurat e daljes së pacientit nga spitali, mungesë bashkëpunimi me strukturat e shërbimeve sociale dhe dështim në garantimin e kujdesit të mëtejshëm për një person në gjendje të rënduar shëndetësore.

Një tjetër shkelje e evidentuar lidhet me publikimin e të dhënave konfidenciale të pacientit. Gjatë komunikimeve publike, Spitali Rajonal i Durrësit kishte bërë të ditura informacione mbi statusin e tij HIV dhe përdorimin e lëndëve narkotike, duke ngritur shqetësime për cenimin e privatësisë dhe sekretit mjekësor.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit ka rezultuar gjithashtu se spitali nuk dispononte asnjë dokument që të provonte identitetin e personit që pretendohej se kishte marrë pacientin në dorëzim. Po ashtu, mungonte një akt zyrtar që dokumentonte dorëzimin e tij.

Pas evidentimit të shkeljeve, Spitali Rajonal i Durrësit ka marrë masa disiplinore ndaj disa punonjësve, mes tyre mjekut kurues, shefit të Shërbimit të Kirurgjisë, kryeinfermieres, infermierit shoqërues dhe personave të tjerë të përfshirë në menaxhimin e rastit.

Masat lidhen me mangësitë në vendimmarrjen klinike, mbikëqyrjen e procedurës së daljes nga spitali, koordinimin institucional dhe dokumentimin e transportit, si dhe me lënien e pacientit në një hapësirë publike pa garantuar kujdesin e mëtejshëm.

Vendimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi konfirmon shkelje të rënda në trajtimin e Artan Andonit dhe evidenton dështimin e mekanizmave institucionalë që duhej të garantonin mbrojtjen dhe kujdesin për të.