Skip to content
Kryesore

Dy shqiptarë tentojnë të grabisin rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate, kapen pas një operacioni me dronë, helikopter dhe qen nuhatës

· 2 min lexim

Dy shqiptarë janë arrestuar në Angli, pasi dyshohet se kanë depërtuar në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate, në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk.

Sipas mediave të huaja, ngjarja ka ndodhur të hënën në mbrëmje, kur dy burrat kanë hyrë pa autorizim në ambientet e rezidencës Anmer Hall, duke aktivizuar sistemet e sigurisë së pronës mbretërore.

Njëri prej të arrestuarve dyshohet se qëndron ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Nga hetimet paraprake dyshohet se shqiptarët kishin si qëllim vjedhjen dhe se mund të mos kenë qenë në dijeni se prona i përkiste çiftit mbretëror.

Megjithatë, autoritetet britanike po hetojnë të gjitha rrethanat e incidentit për të përjashtuar mundësinë e një motivi tjetër.

Sipas raportimeve, dy burrat ishin të maskuar dhe gjatë depërtimit në pronë aktivizuan sistemet e avancuara të sigurisë, të cilat përfshijnë kamera vëzhgimi, sensorë lëvizjeje dhe teknologji lazer.

Menjëherë pas sinjalizimit, policia ndërmori një operacion të gjerë kërkimi, duke angazhuar qen nuhatës, dronë dhe një helikopter të Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore, të pajisur me kamera infra të kuqe.

Forcat e policisë arritën të lokalizonin dhe arrestonin dy shqiptarët brenda territorit të pronës mbretërore.

Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e incidentit në banesë nuk ndodhej asnjë person. Dy të arrestuarit vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.

Anmer Hall është rezidenca e pushimeve të Princit William dhe Princeshës Kate, të cilën Mbretëresha Elizabeth II ia dhuroi çiftit me rastin e martesës së tyre në vitin 2011.

Familja mbretërore jeton aktualisht në rezidencën Forest Lodge, në Windsor, së bashku me tre fëmijët, George, Charlotte dhe Louis, ndërsa pronën në Norfolk e përdor kryesisht gjatë fundjavave dhe pushimeve shkollore.