Nxënësit holandezë tronditen nga varfëria në Shqipëri: Fëmijët hanë vetëm një vakt në ditë, bukë me fasule. Jemi me fat që jetojmë në Holandë

Përtej imazhit të Shqipërisë që promovohet si destinacion turistik, një grup nxënësish dhe mësuesish nga Holanda ka njohur nga afër një tjetër realitet të vendit: atë të familjeve që përballen çdo ditë me varfërinë dhe vështirësitë për të siguruar ushqimin.
Në mesin e tetorit, gjashtë nxënës dhe dy mësues të shkollës së mesme profesionale vmbo Schans, në Sleeuwijk të Holandës, udhëtuan drejt Tiranës për një mision humanitar pesëditor.
Në bashkëpunim me organizatën Global Care Center, grupi shpërndau pako ushqimore dhe organizoi aktivitete argëtuese për fëmijët e familjeve në vështirësi ekonomike që jetojnë në periferi të kryeqytetit.
Përgatitjet për këtë udhëtim kishin nisur prej vitesh. Gjashtë nxënësit organizuan aktivitete të ndryshme bamirësie, duke arritur të grumbullonin 10 mijë euro për projektin në Shqipëri.
Fasule me bukë, i vetmi vakt i ditës
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, grupi holandez vizitoi disa familje për të parë nga afër kushtet në të cilat rriten fëmijët.
Nxënësja Jasmijn përshkruan banesa të vogla, ku të gjithë anëtarët e familjes flenë në të njëjtën dhomë. Disa prej familjeve nuk disponojnë as një sobë për ngrohje.
Ajo që i tronditi më shumë nxënësit ishte fakti se disa prej fëmijëve ushqehen vetëm një herë në ditë, me fasule dhe bukë. Për ta, qendra e organizatës humanitare përfaqëson një mundësi për t’u ushqyer më mirë.
Grupit holandez i tërhoqën vëmendjen gjithashtu sjelljet agresive të disa fëmijëve gjatë aktiviteteve sportive. Mësuesi Daan Koekkoek e lidhi këtë sjellje me ekspozimin ndaj dhunës në ambientet familjare.
Pas përfundimit të misionit, nxënësit u kthyen në Holandë me një tjetër perceptim për kushtet në të cilat jetojnë dhe mundësitë që kanë në vendin e tyre.
Shqipëria, me pasiguri ushqimore mbi katër herë më të lartë se mesatarja europiane
Realiteti që nxënësit holandezë dokumentuan gjatë vizitës së tyre nuk përbën vetëm historinë e disa familjeve të varfra. Përmasat e problemit pasqyrohen edhe në statistikat ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), për periudhën 2023–2025, 31,8% e popullsisë shqiptare përballet me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë.
Pra, pothuajse një në tre shqiptarë përballet me vështirësi për të siguruar ushqim të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm.
Shqipëria shënon një nivel dukshëm më të lartë edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit:
- Shqipëria – 31,8%
- Maqedonia e Veriut – 9,2%
- Mali i Zi – 9%
- Bosnjë-Hercegovina – 8,7%
- Serbia – 6,7%
- Mesatarja europiane – 7,4%
- Mesatarja e Europës Jugore – 5,8%
Ndërkohë, 8,3% e popullsisë shqiptare përballet me pasiguri të rëndë ushqimore. Kjo kategori përfshin raste kur mungesa e të ardhurave detyron qytetarët të reduktojnë sasinë e ushqimit, të anashkalojnë vaktet apo të kalojnë një ditë të tërë pa ngrënë.
Ndërsa Shqipëria promovohet ndërkombëtarisht për bukuritë natyrore, zhvillimin e turizmit dhe rritjen ekonomike, dëshmitë e nxënësve holandezë dhe shifrat e FAO-s nxjerrin në pah kontrastin me kushtet e jetesës së një pjese të konsiderueshme të popullsisë.
Vetëm pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit, ka fëmijë për të cilët edhe sigurimi i një vakti të dytë gjatë ditës mbetet një vështirësi.