Skip to content
Kryesore

SORI-AL e Alma Tafanit dhe Nikolin Jakës nxjerr justifikimin e radhës për 64 studentët e helmuar: Tani thotë se shkaku është gripi

· 3 min lexim

Kompania e kateringut “SORI-AL”, në pronësi të Alma Tafanit, bashkëshortes së Nikolin Jakës, ka dalë me një tjetër reagim për skandalin e studentëve të Akademisë së Sigurisë, duke shtuar një tjetër shpjegim për ngjarjen ku 64 studentë kanë përfunduar në spital.

Pasi një ditë më parë deklaroi se situata mund të lidhej me ushqimet e futura nga jashtë, mungesën e larjes së duarve dhe konsumimin e ushqimit menjëherë pas stërvitjes, këtë të premte kompania thotë se në Akademinë e Sigurisë ka pasur edhe viroza sezonale, duke lënë të kuptohet se simptomat e studentëve mund të mos kenë lidhje me ushqimin e shërbyer prej saj.

“Nga të dhënat e administruara deri në këtë moment, nuk rezulton që shkaku i kësaj situate të jetë ushqimi i shërbyer nga Shoqëria ‘SORI-AL’. Përkundrazi, informacionet e mbledhura nga burime të ndryshme tregojnë se në ambientet e Akademisë së Sigurisë është evidentuar edhe prania e virozave sezonale, të cilat shoqërohen me temperaturë të lartë, këputje fizike dhe simptoma të tjera klinike”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Në reagim, “SORI-AL” kërkon që hetimi të mos përqendrohet vetëm te ushqimi, por të analizohen edhe gjendja epidemiologjike në Akademi, kushtet e konsumimit të ushqimit dhe faktorë të tjerë që, sipas saj, mund të kenë ndikuar në situatë.

Kompania deklaron gjithashtu se nuk mund të vazhdojë të jetë objekt i një “presioni institucional dhe gjykimi publik të parakohshëm”, ndërsa i bën thirrje autoriteteve të zhvillojnë një hetim të plotë, të paanshëm dhe të mbështetur në prova shkencore, epidemiologjike dhe laboratorike.

Ky është reagimi i dytë brenda 24 orëve dhe justifikimi i katërt që del në publik pas helmimit masiv të studentëve. Fillimisht kompania foli për ushqimet e futura nga jashtë, më pas për mungesën e larjes së duarve, për konsumimin e ushqimit menjëherë pas stërvitjes dhe tani shton edhe praninë e virozave sezonale në Akademinë e Sigurisë.

Ndërkohë, numri i studentëve që kanë përfunduar në spital ka shkuar në 64, ndërsa Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e ngjarjes. Burime bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë jo vetëm ndaj kompanisë “SORI-AL”, por edhe ndaj Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ndërsa dosja e episodit të dytë pritet të bashkohet me hetimin për helmimin e parë të ndodhur në muajin maj.

Rezultatet laboratorike që do të përcaktojnë shkakun e episodit të fundit nuk janë bërë ende publike.