SKANDALI: 40 milionë lekë për një urë që zgjati vetëm 10 ditë/ Shembet investimi në Klos, kryebashkiakja fshin postimin e inaugurimit

Vetëm 10 ditë pas inaugurimit, ura e fshatit Ketë në Klos, një investim me vlerë rreth 40 milionë lekë, është shembur me shirat e parë të vjeshtës. Një vepër e sapopërfunduar me para publike ka lënë tashmë banorët të izoluar dhe ngre pikëpyetje serioze mbi cilësinë e punimeve, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e saj.

Ura lidhte fshatin Ketë me Rrugën e Arbrit dhe ishte një infrastrukturë jetike për banorët. Pas shembjes, lëvizja është ndërprerë, duke krijuar probleme deri te dërgimi i fëmijëve në shkollë.
Ndërtimi i urës ishte kërkuar me ngulm nga banorët që në dhjetor 2025. Punimet u realizuan nga kompania “Bajrami N sh.p.k”, me zotëruese Anduena Bajramin, ndërsa Bashkia Klos kishte kontraktuar për mbikëqyrjen e punimeve kompaninë “TRIANGLE”, me zotërues Zenulla Mehmetin.
Sipas VoxNews, investimi ka kushtuar rreth 40 milionë lekë. Fakti që ura nuk rezistoi as dy javë pas përurimit vendos në qendër të vëmendjes jo vetëm kompaninë që kreu punimet, por edhe mekanizmat që duhet të kontrollonin dhe garantonin cilësinë e veprës përpara se ajo t’u dorëzohej qytetarëve.
Historia bëhet edhe më kontradiktore nga qëndrimi i kryebashkiakes së Klosit, Valbona Kola. Ditën e përurimit, ajo e kishte prezantuar urën si një investim me vlerë për komunitetin, që do të garantonte infrastrukturë më të sigurt dhe funksionale dhe do të përmirësonte jetën e banorëve.
Por pasi ura u shemb, postimi i kryebashkiakes u fshi nga rrjetet sociale.
Postimi mund të jetë zhdukur, por ura e shembur mbetet. Dhe bashkë me të mbetet pyetja se si një investim prej rreth 40 milionë lekësh, i sapopëruruar dhe i mbikëqyrur, përfundoi i shkatërruar vetëm 10 ditë më vonë.