Shqipëria mbushet me mish pule të rrezikshëm nga Tajlanda/ Shifrat nuk dalin: 88 tonë më shumë se importoi Kosova, dyshime për dokumentet

Qindra tonë mish pule me origjinë nga Tajlanda kanë hyrë në Shqipëri përmes Kosovës, por një mospërputhje e fortë mes të dhënave doganore ngre pikëpyetje serioze për origjinën dhe dokumentacionin e një pjese të produktit që përfundon në tregun shqiptar.
Vetëm gjatë periudhës janar-gusht 2026, sipas të dhënave të cituara nga Qendra ALERT, Kosova ka importuar nga Tajlanda 196,947 kilogramë mish pule, ose rreth 197 tonë. Por gjatë së njëjtës periudhë, në Shqipëri rezultojnë të importuara 284,748 kilogramë, ose rreth 284.7 tonë mish pule me origjinë nga Tajlanda.
Pra, Shqipëria rezulton të ketë marrë rreth 88 tonë më shumë mish pule tajlandeze sesa sasia totale që Kosova kishte importuar nga Tajlanda.
Dhe pikërisht këtu nis problemi.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka konfirmuar se gjatë vitit 2025 dhe tetë muajve të parë të vitit 2026 Shqipëria nuk ka kryer importe të drejtpërdrejta të mishit të pulës nga Tajlanda. Sipas Ministrisë, produkti me origjinë tajlandeze që ka hyrë në vend ka ardhur si rieksport nga Kosova.
“Në përgjigje të e-mailit tuaj, me anë të së cilit kërkohet informacion lidhur me importin e mishit të pulës nga Tailanda për vitin 2025 dhe 8-mujorin e 2026, ju bëjmë me dije se:
Për vitin 2025 dhe 8-mujorin e 2026, nuk janë importuar ngarkesa me mish pule drejt për drejt nga shteti i Tailanda (megjithese eshte bere njohja e modelit te certifikates me ane te Urdhri nr. 449, datë 8.5.2025 “Për njohjen e modelit të certifikatës shëndetësore veterinare për importin e mishit të shpendëve në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të mishit të grirë dhe atij të ndarë mekanikisht (model POU) nga Republika e Tailanda“), por mishi i pulës me origjine nga Tailanda vjen ri-eksport nga shteti i Kosovës.
Këto ngarkesa shoqërohen me modelin e certifikatës te miratuar me Urdhër nr. 600, datë 2.8.2024 “Për njohjen e modelit te certifikatës shëndetësore për importin dhe eksportin e ngarkesave me produktet me origjine shtazore me origjine shtazore te ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova (ri-eksport), ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Republikës se Kosovës“.
Tailanda është e listuar për eksport te mishit te pulës ne BE, dhe te gjitha këto ngarkesa kane ardhur nga stabilimente te miratuara për eksport te mishit te pulës ne BE“, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Por kjo përgjigje nuk zgjidh mospërputhjen e shifrave.
Nëse Shqipëria nuk ka importuar drejtpërdrejt nga Tajlanda dhe mishi tajlandez ka ardhur si rieksport nga Kosova, atëherë si mund të rezultojnë në Shqipëri rreth 284.7 tonë, kur Kosova kishte importuar nga Tajlanda vetëm rreth 197 tonë?
Madje, edhe sikur të supozohej se në Kosovë nuk është konsumuar apo shitur as edhe një kilogram i kësaj sasie dhe të gjithë 197 tonët janë dërguar në Shqipëri, sërish mbeten rreth 87.8 tonë mish që nuk shpjegohen nga këto shifra.
Kjo mospërputhje ngre disa pikëpyetje që kërkojnë përgjigje nga institucionet.
Duhet të sqarohet nëse diferenca lidhet me mënyrën e regjistrimit dhe klasifikimit të mallrave nga dy doganat, nëse mishi ka mbërritur në Kosovë përmes vendeve të tjera dhe për këtë arsye nuk rezulton në statistikat e importit direkt nga Tajlanda, apo nëse kemi të bëjmë me një problem më serioz me origjinën dhe dokumentacionin e produktit.
Një prej dyshimeve që ngrihen është nëse një pjesë e mishit mund të jetë siguruar nga burime të tjera dhe më pas të jetë rieksportuar drejt Shqipërisë si produkt me origjinë nga Tajlanda. Po kështu, duhet verifikuar nëse të gjitha ngarkesat kanë ardhur realisht nga stabilimente të miratuara për eksport drejt Bashkimit Europian.
Në këtë kuadër ngrihet edhe pikëpyetja më serioze: a mund të jetë deklaruar një origjinë tjetër nga ajo reale ose të jenë përdorur dokumente të falsifikuara?
Në materialin e deritanishëm nuk ka prova që vërtetojnë falsifikimin e dokumenteve, por diferenca prej afro 88 tonësh kërkon kontroll të plotë të certifikatave veterinare, dokumenteve doganore, vendeve të origjinës dhe kompanive që kanë kryer rieksportin.
Çështja lidhet drejtpërdrejt edhe me sigurinë ushqimore. Nëse origjina dhe dokumentacioni i një produkti ushqimor nuk mund të ndiqen qartë përgjatë gjithë zinxhirit, institucionet duhet të përcaktojnë se nga ka ardhur ai, ku është prodhuar dhe nëse ka kaluar kontrollet e kërkuara veterinare dhe ushqimore.
Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të sqarojnë publikisht se çfarë përfaqësojnë rreth 88 tonët e diferencës, përmes cilit shtet kanë hyrë, cilat kompani i kanë sjellë, çfarë certifikatash i kanë shoqëruar dhe nëse është kontrolluar origjina reale e çdo ngarkese.
Një tjetër çështje është ajo që sheh konsumatori në dyqan. Duhet sqaruar nëse mishi me origjinë nga Tajlanda etiketohet si i tillë kur del në treg dhe nëse qytetari që e blen informohet qartë për vendin e origjinës.
Nëse Kosova importoi rreth 197 tonë mish pule nga Tajlanda, ndërsa në Shqipëri rezultojnë rreth 285 tonë, nga erdhën afro 88 tonët e tjerë dhe çfarë dokumentesh i shoqëruan deri në tryezat e shqiptarëve?