Në Tropojë, para një jave ndodhi një ngjarje e rëndë ku një 12-vjeçar u përplas nga një makinë dhe humbi jetën.
Ngjarja ndodhi në dalje të qytetit të Bajram Currit kur Fabjon Prozllomi po kthehej në shtëpi pas mësimit, por fatkeqësisht gjeti vdekjen.
Ky aksident tragjik tronditi shumë qytetar të Tropojës dhe shumë bashkëmoshatarë të tij të cilët e kalojnë këtë rrugë ҫdo ditë.
Sipas banorëve, rruga ku vogëlushi humbi jetën është një rrugë pa sinjalistika dhe për këtë arsye banorët e komunës Margegaj, kanë bllokuar aksin Bajram Curri-Valbonë duke dalë në protestë. Ata e cilësojnë si një rrugë vdekjeprurëse pasi aty kalojnë njerëzit ҫdo ditë dhe ndërkohë rruga nuk ka as vija të bardha dhe as shenja që ndalojnë shpejtësinë e makinave.
Një qytetar ka shkruar tek JOQ Albania dhe ka informuar se ata janë në protestë.
“Përshëndetje JOQ! Jemi në protestë pasi këtu vdiq një 12-vjeçar dhe kjo rrugë nuk ka asnjë sinjalistikë dhe është vdekjeprurëse! Rruga do të qëndrojë e bllokuar deri në plotësimin e kushtit tonë që është marrja e masave për kufizimin e shpejtësisë, vendosja e sinjalistikës këtu pranë shkollës Margegaj.
Deri tani nuk ka asnjë reagim nga pushteti lokal, mbërritën Forcat e Rendit dhe banorët filluan vetë të prishin asfaltin në shenjë revolte. Nëse këta nuk vendosin sinjalistikë ne prishim asfaltin dhe kështu nuk ecin më dot aq shpejt sa për të vrarë fëmijët!”