Skip to content
Të Gjitha

Hakerat iranianë nuk ndalen, nxjerrin “sheshit” të dhënat e patentave të shqiptarëve

· 2 min lexim

Hakerat iranianë nuk ndalen në publikimin e të dhënave  që kanë marrë nga sistemet shqiptare.  Ditën e sotme ata kanë publikuar në Telegram të dhënat mbi patentat e qytetarëve shqiptarë.

Në një postim në faqen ‘HomeLand Justice’, hakerat kanë shkruar qeveria nuk është e gatshme të paguajë çmimin për mbrojtjen e qytetarëve të saj.

“Është siguria e terroristëve më e rëndësishme për ju se sa ajo e “shpikësve” shqiptarë? Ju nuk jeni në gjendje të paguani çmimin e sigurisë për qytetarët tuaj. Si ka mundësi që ju shpenzoni thesarin e  shtetit për të mbrojtur dhe promovuar terroristët? A nënkupton kjo diçka tjetër veç korrupsionin qeveritar?”, shkruan hakerat.

Vlen të theksojmë që teksa taksapaguesit shqiptarë paguajnë për sistemin e sigurisë, ku pretendohet që AKSHI të mbajë përgjegjësi, ndodh e kundërta.

Të dhënat tona janë vjedhur para disa muajsh dhe tashmë po dalin “sheshit” çdo ditë e më shumë.  Nga ana tjetër kryeministri Rama mburret se Shqipëria mban vendin e tetë në Europë për ofrimin e shërbimeve online.

Ndërkohë si për paradoks para disa javësh u publikuan nga hakerat iranianë vetë të dhënat mbi hyrjet dhe daljet e kryeministrit Edi Rama nga vendi.

Para disa ditësh hakerat iranianë kanë zbardhur të gjitha hyrjet dhe daljet e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ka udhëtuar vetëm përmes aeroportit të Rinasit. Disa  javë më parë “Homeland Justice” nxori të dhënat e ish-kreut të SHISH,  Helidon Bendo dhe bashkëshortes së tij.  Ata kanë publikuar edhe hyrje-daljet e saj nga Shqipëria. Në dokumente shihet sa herë gruaja e ish-kreut të SHISH e ka kaluar kufirin shqiptar, nga cila pikë kufitare ka dalë dhe me çfarë mjeti ka udhëtuar.