Skip to content
Të Gjitha

FMN vë me “shpatulla pas murit” Shqipërinë: Ndaloni koncensionet pa garë , po shkatërroni ekonominë

· 2 min lexim

FMN-ja duket se e ka vendosur me shpatulla pas murit Shqipërinë, sidomos me raportin e fundit ku flet rreth borxheve të fshehta dhe rrezikut që ato kanë.

Në këtë raport Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se borxhet e fshehta që shteti ka ndaj privatëve ka arritur shumën prej 200 milionë euro, prej nga 140 milionë janë të qeverisë dhe pjesa tjetër i takon bashkive.

Nëpërmjet tabelave, tregohet se rreth 90 milionë euro i përkasin vetëm TVSH-së së pakthyer për biznesin dhe kjo konsiderohet si një shifër shumë e lartë borxhi të prapambetur, e cila vendos në rrezik financiar biznesin dhe dëmton aktivitetin ekonomik. Pra, e thënë me fjalë të tjera Shqipëria rrezikon përsëri të kalojë krizën e vitit 2013.

Mirëpo frika më e madhe e FMN nuk qëndron tek borxhet e fshehta, por tek koncesionet pa garë, të cilat janë si ‘minë me sahat” për qëndrueshmërinë financiare dhe sigurisht nuk ndihmojnë në uljen e borxhit.

Në fund të vitit të kaluar, qeveria kishte listuar 2.4 miliardë euro kontrata koncesionare të partneritetit publik-privat, të nënshkruara ose në proces pritje për t’u nënshkruar. FMN-ja i ka kërkuar qeverisë të ndërpresë menjëherë dhënien e koncesioneve pa garë dhe të përzgjedhë vetëm projektet që kanë leverdi ekonomike.

Sipas raportit, borxhet e prapambetura dhe koncesionet janë dy risqet më shqetësuese të brendshme.

Mirëpo shqetësim për Shqipërinë është edhe një faktor tjetër, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë, e veçanërisht në Itali dhe Greqi, gjë e cila në mënyrë direkte sjell rënien e ekonomisë vendase, por si?

FMN paralajmëron se, nëse dy partnerët kryesor të Shqipërisë do të rikthehen në recesion, atëherë rritja ekonomike e Shqipërisë mund të bjerë deri nën 2 për qind dhe për ne kjo është një shifër e lartë.