Skip to content
Kryesore

Dhuna ndaj Eduard Kuçit/ Prokuroria kërkoi burg, Gjykata lë në “arrest shtëpie” Jozefin Markun dhe Kristjan Nikollin

· 2 min lexim

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për këngëtarin Jozefin Marku dhe shoferin e tij, Kristjan Nikolli, të arrestuar në lidhje me sulmin ndaj Eduard Kuçit.

Vendimi është marrë pas seancës për caktimin e masës së sigurisë, pavarësisht se Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg” për të dy të arrestuarit. Marku dhe Nikolli do të qëndrojnë tashmë nën masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.

Në kuadër të hetimit, Prokuroria po verifikon edhe përdorimin e simboleve të Policisë së Shtetit, ndërsa është kërkuar një akt-ekspertim për të përcaktuar dëmtimet trupore që mund të ketë pësuar Eduard Kuçi.

Ndërkohë, një tjetër zhvillim lidhet me vetë Kuçin. Eduard Kuçi është shpallur në kërkim policor për akuzën e moskallëzimit të krimit. Sipas hetimeve, ai nuk e kallëzoi fillimisht ngjarjen në polici, duke e paraqitur atë si një konflikt të shkaktuar nga bllokimi i rrugës me automjet.

Pas verifikimeve të kryera nga policia, ndaj Kuçit është ngritur akuza për moskallëzim krimi dhe ai është vënë në kërkim policor, me qëllim marrjen në pyetje dhe dhënien e sqarimeve lidhur me ngjarjen.

Në mbrojtjen e tij pas arrestimit, Jozefin Marku ka deklaruar se ishte irrituar pasi Kuçi e kishte ofenduar në rrjetet sociale.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë, ndërsa Marku dhe Nikolli do të qëndrojnë në “arrest shtëpie”.