Skip to content
Kryesore

Dështojnë autoritetet! Shqipëria “arenë” vrasjesh, 5 viktima dhe 1 i plagosur

· 2 min lexim

Krimi ka “zaptuar” vendin, dëshmi se autoritetet nuk po e bëjnë siç duhet punën dhe qytetarët nuk janë aspak të sigurt. Mbrëmja e djeshme shënoi 4 viktima, 2 në Tiranë, 2 në Velipojë. Ndërsa mëngjesin e sotëm një atentat tronditi vendin, ku një 68-vjeçar u vra në Mirditë, në dritaren e banesës.

Një person gjithashtu u plagos me breshëri arme nga një efektiv policie, pasditen e djeshme në kryeqytet. (lexo këtu)

2 viktima në Velipojë

Ardis Hoxha dhe Ersild Ishmi, punëtor i një prej hoteleve në zonë u qëlluan prë vdekje mbrëmjen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stacionit të autobusëve. Autorë janë dy vëllezër dhe shkak dyshohet të jetë bërë pronësia e një hoteli në zonë.

2 viktima dhe 1 i plagosur në Tiranë

Një tjetër ngjarje tronditëse ka ndodhur në Tiranë, ku burri ka vrarë gruan dhe më pas dy qentë e tij dhe veten. Krimi i rëndë në familje ka ndodhur në lagjen Laprakë. Shtetasi amerikan, Matthew James Wertz 55 vjeç fillimisht ka mbytur gruan e tij, Indah Lilis Sartika Saragih dhe më pas ka vrarë me shkop bejsbolli dy qentë e tij.

Pasditen e djeshme në Komunë të Parisit efektivi Erjon Goxhara qëlloi me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta për motive banale. Goxhara më herët ka qenë komandant i repartit Shqiponja, ndërsa aktualisht punonte si punonjës i policisë kufitare.

Vrasjet janë kthyer në një zakon të përditshëm ndërsa policia dhe autoritetet e kanë humbur prej kohësh “fuqinë”. Ende pa u shëruar nga “plagët” e vrasjes së padrejtë të Egli Progës, shoqëria shqiptare po vuan çdo ditë dështimin e autoriteteve që zvarrisin dhe fshehin të vërtetën e krimeve makabër.