Brazili miraton ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë/ I kërkuar nga SPAK për 931 kg kokainë

Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka miratuar kërkesën për ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë, i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas vendimit të publikuar, kërkesa për ekstradimin e Matës është miratuar gjatë seancave të zhvilluara nga 14 deri më 21 gusht.
Ervin Mata u arrestua në prill të këtij viti në bregdetin e São Paulo-s, pasi informacionet e inteligjencës tregonin se ai kishte udhëtuar nga rajoni Baixada Santista drejt bregdetit verior.
SPAK e shpalli Matën në kërkim në nëntor të vitit 2023, si pjesë e një grupi kriminal që akuzohet për trafikimin e drogës nga Amerika e Jugut drejt Europës. Ai akuzohet gjithashtu për veprat penale të vrasjes dhe pastrimit të parave.
Në qendër të hetimeve janë katër dërgesa me kokainë dhe lëndë të tjera narkotike, të sekuestruara gjatë vitit 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë.
Në total bëhet fjalë për 931 kilogramë kokainë dhe lëndë narkotike të llojeve të ndryshme. Sipas hetimeve të SPAK, organizatorë të dërgimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës ishin shtetas shqiptarë, ndërsa grupi drejtohej nga Ervin Mata.
Me miratimin e kërkesës nga Gjykata Supreme Federale e Brazilit, i hapet rruga ekstradimit të Matës drejt Shqipërisë, ku ai kërkohet nga drejtësia për akuzat e ngritura ndaj tij.