“Bleona Mata është gjetur, është studente ekselente dhe e birësuar nga një çift grek”/ Avokati zbulon detajet tronditëse pas 15 vitesh

Pas 15 vitesh mister, dhimbje dhe kërkimesh pa një përgjigje përfundimtare, vjen deklarata më e fortë deri më tani për fatin e Bleona Matës. Avokati Alban Duraj pretendon se vajza është identifikuar, ndodhet në një vend të Bashkimit Europian, është studente ekselente dhe është birësuar nga një çift grek.
Deklaratat e Durajt vijnë vetëm pak kohë pasi rasti i Bleonës është rikthyer fuqishëm në vëmendjen publike. Gjatë një lidhjeje në emisionin “Breaking me Fiori Dardha”, avokati tregoi se kishte komunikuar me nënën e Bleonës, Bukurie Mata, në fund të qershorit ose në fillim të korrikut dhe se ajo i kishte thënë se ishin shumë pranë gjetjes së vajzës.
Sipas Durajt, një pjesë e parave të mbledhura nga qytetarët shqiptarë për kërkimet është përdorur nga Bukurie Mata për të kontaktuar një agjenci që merret me investigimin e personave të humbur. Pikërisht nga ky proces, sipas pretendimit të përcjellë nga avokati, është arritur të identifikohet se ku ndodhet Bleona.
“Po është e vërtetë dhe komunikimi që kam patur me zonjën Bukurie, pra ka qenë fund qershori ose fillim korriku, dhe ajo është shprehur se jemi shumë afër gjetjes së Bleona Matës. Kjo vjen për faktin sepse është investuar me shumën e të ardhurave që u mblodh nga qytetarët shqiptarë lidhur me një thirrje publike që u bë për të mbledhur para për këtë rast. Zonja Bukurie, pjesën e konsiderueshme të kësaj vlere e ka marrë nga qytetarët shqiptarë dhe si ka vendosur një diferencë tjetër sepse nuk ishin të mjaftueshme paratë. Ajo ka kontaktuar një agjenci e cila merret me investigimin e njerëzve të humbur. Ajo ka thënë se Bleona është në një nga vendet e Bashkimit Europian. Pra kanë arritur që t’a identifikojnë se ku ndodhet. Është studente, madje e shkëlqyer, ekselente dhe është e birësuar nga një çift grek. Kaq më tha për momentin”, deklaroi Alban Duraj.
Megjithatë, nga deklarata e avokatit rezulton se nëna e Bleonës ende nuk është takuar me të. Duraj tha se Bukurie Mata nuk i ka dhënë më shumë hollësi për vendin konkret ku ndodhet vajza apo për mënyrën se si është bërë identifikimi.
Por sipas tij, një takim i mundshëm mes nënës dhe vajzës nuk do të ishte fundi i kësaj historie. Përkundrazi, Duraj paralajmëroi se më pas do të kërkohet zbardhja e plotë e asaj që ndodhi 15 vite më parë dhe përgjegjësia e personave që mund të kenë luajtur rol në zhdukjen e Bleonës.
“Më siguroi që në momentin që do takohet me Bleonën, nuk do t’a lërë me kaq. Sepse të gjithë personat që kanë ndihmuar në zhdukjen e Bleonës apo ata zyrtarë që kanë vepruar apo nuk kanë vepruar për zbulimin e saj, ajo nuk do t’i lërë. Ata do të mbajnë një përgjegjësi penale dhe do t’u drejtohemi Prokurorisë së Posaçme në mënyrë që të hetojë këtë çështje”, u shpreh avokati.
Zhvillimi vjen në një moment kur për rastin janë bërë edhe deklarata të tjera të forta. Avokati Idajet Beqiri deklaroi se, sipas bindjes së tij, Bleona Mata është gjallë, ndërsa ngriti dyshime të rënda edhe mbi rolin e babait të vajzës.
“Fjalët e mia shkojnë edhe për të atin. S’ka treguar kurrë interes për këtë. Për fat të keq, ai është pjesë e lojës. Këtë ju a them unë me bindje. Hetimet do vazhdojnë dhe jam i bindur se shumë shpejtë do shkojmë te foleja e grerëzave. Problemi është që babai del keq shumë në këtë lojë”, deklaroi Beqiri.
Edhe nëna e Bleonës ka hedhur akuza të rënda lidhur me zhdukjen e së bijës dhe ka kërkuar prej vitesh që personat që ajo konsideron përgjegjës të përballen me drejtësinë.
Deklaratat e fundit krijojnë një zhvillim të jashtëzakonshëm në një çështje që prej 15 vitesh mbetet e pazbardhur. Megjithatë, pretendimet se Bleona është identifikuar, se ndodhet në Bashkimin Europian dhe se është birësuar nga një çift grek janë, në këtë fazë, deklarata të përcjella publikisht nga avokati Alban Duraj mbi bazën e komunikimit të tij me Bukurie Matën. Nuk paraqitet ende një konfirmim zyrtar nga autoritetet për gjetjen apo identifikimin e Bleona Matës.