“Biri jem, mos u dorëzo”/ Poezia prekëse e Jakup Krasniqit, në Hagë imagjinonte nënën duke i dhënë zemër

Një bisedë imagjinare me nënën, e hedhur në vargje gjatë paraburgimit në Hagë, zbulon një anë të rrallë personale të Jakup Krasniqit. Në maj të vitit 2021, larg familjes dhe vendit të tij, ai shkroi një poezi ku i drejtohej nënës dhe ndërtonte vetë përgjigjet e saj, si një mënyrë për t’i dhënë kurajë vetes përballë asaj që po kalonte.
Poezia është bërë publike nga vajza e tij e madhe, Gresa Krasniqi, gjatë një interviste ekskluzive me gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo.
Në vargjet e shkruara me dorë, Krasniqi i kërkon nënës të mos shqetësohet për të, ndërsa më pas imagjinon fjalët që ajo do t’i thoshte në ato momente.
“Nëna ime! Kërkoj nga Ti fare të mos shqetësohesh”, shkruan Krasniqi.
Më pas, dialogu vazhdon përmes zërit që ai ia jep vetë nënës. Ajo i drejtohet me fjalët “Biri jem!” dhe e këshillon të mos dorëzohet përballë sprovës.
“Jeta e çdo njeriu kurrë është një ndeshje”, shkruan Krasniqi në zërin e nënës, duke e lidhur forcën për të përballuar vështirësitë me edukimin që kishte marrë prej saj.
Në këtë dialog imagjinar, nëna i kujton se gjatë jetës së tij kishte kaluar edhe sprova të tjera dhe i kërkon që edhe këtë vështirësi ta përballojë “me nder”.
Poezia mbyllet me fjalët e nënës që Krasniqi imagjinon se do të donte t’i dëgjonte në ato ditë paraburgimi:
“Të uroj fitore në këtë përballje”.
Urimi vijon me dëshirën që ai të kthehet sa më parë në vendin e tij:
“Që të kthehesh sa më parë në Republikën tënde. Për ta mbyllur me krenari veprën që e bëre”.
E shkruar në Hagë në maj të vitit 2021, poezia merr kështu formën e një bisede mes Krasniqit dhe nënës së tij, por edhe të një dialogu me vetveten: përmes fjalëve që ia vendos asaj në gojë, ai kërkon forcën për të përballuar paraburgimin dhe për t’i dhënë vetes zemër.