“Balluku mori peng Aeroportin e Vlorës”/ Tomorri: Shqipëria rrezikon deri në 700 mln euro në arbitrazh

Aeroporti i Vlorës, i promovuar nga qeveria si një investim strategjik, është përfshirë në një betejë arbitrazhi që, sipas gazetarit Klodian Tomorri, mund ta ekspozojë Shqipërinë ndaj pretendimeve që potencialisht arrijnë deri në 700 milionë euro.
Në “Top Story”, Tomorri deklaroi se aeroporti “është marrë peng”, ndërsa drejtoi gishtin nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe mënyra se si qeveria ka ndërhyrë në konfliktin mes aksionerëve.
Përplasja lidhet me kuotat e kompanisë koncesionare. Behgjet Pacolli pretendon se zotëron 98% të tyre, ndërsa pala e Valon Ademit pretendon se ekzistojnë tre kontrata. Pacolli kundërshton një prej kontratave, duke pretenduar se firma e tij është marrë me mashtrim.
Sipas Tomorrit, ndërhyrja e qeverisë dhe tentativa për zgjidhjen e koncesionit e çuan çështjen në arbitrazh, ku palët kërkuan masë sigurimi ndaj vendimit të qeverisë.
“Arbitrazhi i ka thënë qeverisë që nuk e merr dot aeroportin në këtë pikë”, deklaroi ai.
Gazetari paralajmëroi se respektimi i procedurave është vendimtar për të shmangur një tjetër faturë të rëndë për shtetin, duke kujtuar edhe çështjen Becchetti.
“Këtu kemi 90 milion euro investim dhe 1 kontratë koncesioni 35 vite të gjatë, është 720 milion plani i biznesit për 35 vite. Mund të kërkohet potencialisht deri në 700 milion.”
Shifra prej 700 milionë eurosh nuk është një detyrim i vendosur ndaj Shqipërisë, por skenari potencial i ngritur nga Tomorri për pretendimet që mund të kërkohen në arbitrazh.
Sipas tij, qeveria argumenton se konflikti mes dy aksionerëve është aq i thellë sa ata nuk mund ta përfundojnë aeroportin dhe po mbajnë peng një investim strategjik. Por Tomorri ngriti pikëpyetjen se kush i përzgjodhi fillimisht këto palë.
“Qeveria thotë që ata që zgjodha unë nuk e bëjnë dot tani. Pacolli ka thënë që më thanë një herë që merr 60% e pastaj 40%. Zonja Balluku. Aeroporti është marrë peng, Edi Rama e ka përuruar në 2025, ndërkohë që jemi në këtë situatë”, tha Tomorri.