Agim Kajmaku ka fituar sërish lirinë. Gjykata e Apelit të Tiranës ka zhvilluar sot seancën për masën e sigurisë për ish-kreun e Bashkisë së Vorës, i cili u arrestua një ditë më parë. Sot në Apel, Kajmaku ka fituar lirinë dhe zyrarisht, pasi Prokuroria kërkoi zbutjen e masës së sigurisë për të dhe mori aprovimin e gjykatës.
Ish-kreu i Bashkisë Vorë do të jetë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe kundër tij do të vijojë gjykimi. Prokuroria dhe Gjykata kanë vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore dhe kanë vendosur që të zbusin e masës së sigurisë, pavarësisht se ai aka qenë për një kohë të gjatë në arrati dhe i është fshehur drejtësië.
Sipas Dosja.al prokurorja e cila kishte marrë në dorë dosjen e Kajmakut është Arta Marku. Ka qenë pikërisht ish-kryeprokuroria ajo që ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë kundër ish-kreut të Bashkisë Vorë. Marku ka kërkuar që Kajmaku të mos qëndrojë më në burg, pasi ai është i sëmurë dhe i rrezikohet shëndeti.
Kjo kërkesë e Prokurorisë është aprovuar dhe nga gjykata e cila ka vendosur që të lë në detyrim paraqitje ish-numrin një të Bashkisë Vorë.
Agim Kajmaku u arrestua më parë pasi u paraqit në gjendje të rëndë në spitalin privat për shkak të diabetit. Kanë qenë vetë mjekët që kanë lajmëruar policinë se Kajmaku ndodhej i shtruar aty. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ndalimi i tij është bërë në spital ku po merr dhe mjekimin. Edhe në njoftimin e policisë konfirmohet se ekzekutimi i vendimit penal është bërë në ambientet e spitalit privat në Tiranë, ku Kajmaku po trajtohet me ndihmë të specializuar mjekësore.
Agim Kajmaku ishte shpallur në kërkim që prej 11 nëntorit të vitit 2019 dhe prej afro një viti ai ndodhej në arrati. Gjykata ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Fillimisht akzuat kundër Kajmakut u ngritën, pasi dyshohet se ai ka marrë vendime pasi KQZ kishte vendosur për shkarkimin e tij nga detyra.
Pasi KQZ kishte marrë vendimin kundër tij, ai ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë dhe emëroi një të besuar të tij. Më herët, ish-qytetari i parë i Vorës, ishte nën akuza publike nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit. Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.
Akzuat ndaj Kajmakut janë: “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal.