Thanë se e sulmoi ariu dhe vrau veten/ Hetimet për Urim Fikun zbulojnë pistën e vrasjes, dyshohet se u ndoq dhe u qëllua disa herë me pistoletë

Hetimet për vdekjen e 62-vjeçarit Urim Fiku, më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës, kanë zbuluar prova të reja që vënë në dyshim versionin e dhënë nga bashkëshortja dhe djali i viktimës. Gjetja e disa gëzhojave në një distancë prej 500-600 metrash nga banesa ka ngritur dyshimet se Fiku mund të jetë ndjekur dhe qëlluar disa herë me pistoletë përpara se të humbiste jetën në oborrin e shtëpisë.
Gjatë kontrolleve në zonë, grupi hetimor ka zbuluar gëzhoja që dyshohet se i përkasin së njëjtës armë zjarri të tipit TT, e gjetur në oborrin e banesës ditën e ngjarjes. Kjo provë ka ngritur një pistë të re hetimore, sipas së cilës 62-vjeçari mund të jetë qëlluar fillimisht në distancë dhe më pas të ketë marrë plumbin fatal pranë shtëpisë.
Gëzhojat janë sekuestruar dhe dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore në Tiranë për ekspertizë balistike, e cila pritet të përcaktojë nëse janë shkrepur nga e njëjta pistoletë.
Ndërkohë, bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, dhe djali i tij, Gazmir Fiku, mbeten të vetmit të dyshuar deri më tani për ngjarjen. Të dy kanë dalë para Gjykatës së Dibrës, ku kanë mohuar përfshirjen në vrasje, por gjykata ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”.
Në dëshmitë e tyre, nënë e bir kanë pretenduar se Urim Fiku ishte sulmuar nga një kafshë e egër, që dyshohej të ishte ari. Sipas këtij versioni, viktima ishte kthyer i plagosur pranë banesës dhe, në gjendje të rënduar psikologjike, kishte marrë pistoletën dhe kishte qëlluar veten në oborr.
Megjithatë, hetuesit kanë konstatuar mospërputhje në deklarimet e tyre, ndërsa gëzhojat e zbuluara larg banesës ngrenë dyshime të tjera mbi rrethanat e vdekjes.
Një tjetër element nën verifikim është alibia e Gazmir Fikut, i cili ka deklaruar se në momentin e ngjarjes ndodhej në Bulqizë, në zyrën ku punon si përgjegjës sektori pranë OSHEE-së.
Rezultatet e ekspertizës balistike dhe verifikimi i dëshmive pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësitë e mundshme penale. Deri në përfundimin e këtyre verifikimeve, pista e ndjekjes dhe e qëllimit të viktimës disa herë mbetet një dyshim hetimor, jo një fakt i provuar.