Ministria e Arsimit do të lejojë rifillimin e aktivitetit për sportin e basketbollit. Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë, basketbollit do t’i lejohet që të rifillojë ndeshjet.
Normalisht gjatë zhvillimit të aktiviteteve duhet treguar kujdesi maksimal për të respektuar distancimin social dhe kushtet higjieno-sanitare për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.
Që prej muajt mars në Shqipëri nuk lejohet zhvillimi i aktiviteteve sportive në sallat e mbyllura, duke i konsideruar si me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e COVID.
Sekretari i përgjithshëm i federatës së Basketbollit, Korab Llazani, pak kohë më parë u shpreh se deri më tani qeveria nuk ka krijuar kushtet që të nisin organizimin për rikthimin e aktivitetit, duke krijuar problematika të shumta.
“Kemi një korrespondencë të dendur me strukturat shtetërore dhe komitetin teknik. Ne kemi dërguar në kohë të ndryshme kërkesat tona, por përgjigjet kanë qenë një ose dy. Përgjigjet që kemi marrë kanë qenë totalisht negative, duke mos na lënë mundësinë që ne të caktojmë një datë që të nisim organizimin për aktivitetin,” – do të shprehej Llazani në fund të dhjetorit.
Ky ndalim ka krijuar jo pak vështirësi, për sportistët që e kanë jo vetëm pasion por dhe punën e tyre. Dukej sikur basketbolli në Shqipëri ishte bërë delja e zezë, kur në gjithë Europën, aktiviteti sportiv ka vazhduar.
Mungesa e aktiviteti kombëtar, ka krijuar problematika edhe për angazhimin e skuadrave shqiptare në arenën ndërkombëtare, për shkak të mungesës së kushteve për t’u stërvitur. /Gazetareforma.com/