Prokuroria e Tiranës tërhiqet nga akuza e zbutur që gatoi SHÇBA e drejtuar nga Muhamet Rrumbullaku. Sot është zbardhur akuza e re ndaj efektivit të policisë, Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau me armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha. SHÇBA e referoi çështjen në prokurori nën akuzën e butë “vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”.
Iconstyle edhe në shkrimet e mëparshme ka denoncuar përgatitjen e një akuze të butë mbështetur në dëshmi të rreme të kolegëve të Hajdarajt, ekspertizë të paplotë mjeko ligjore, analizë jo të plotë balistike dhe hipoteza të pabaza si arma e gjetur larg vendit të ngjarjes.
Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria ka lajmëruar se tashmë Nevaldo Hajdaraj do të akuzohet për “vrasje me dashje”.
Sipas tyre, filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes. Më tej njoftohet se arma e gjetur në pellgun e ujit, ka mbetur ende e paidentifikuar.
Si u gatua akuza nga SHÇBA?
Të gjitha njoftimet zyrtare të policisë, përfshirë ekspertizën e Mijekësisë Ligjore kishin përcaktimin “paraprake”. Sipas ekspertizës Klodian Rasha nuk ka marrë asnjë plumb në kokë, ndërsa efektivi i policisë ka qëlluar dy herë. 25 vjeçari ka marrë vetëm një plumb në shpatull, por që ka rezultuar fatal për jetën e tij.
Ekspertiza paraprake dhe kërkesa për masë siguri janë depozituar në gjykatë.
I riu mbeti i vrarë orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit në rrugën ‘Dritan Hoxha’ në kryeqytet, pak metra larg shtëpisë nga efektivi i policisë me iniciale N.H. Referuar njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45, atëherë kur në fuqi ishte ora policore.
Njoftimet “paraprake”, të dyshimta
Policia e Shtetit: “Tiranë/Informacion shtesë. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia nën drejtimin e Prokurorit gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R, i cili nuk iu bind urdhrit të Punonjësit të Policisë për të ndaluar”.
Kjo është ajo që përgatiti SHÇBA dhe u rrëzua sot nga prokuroria.
Pra, megjithëse hetimet udhëhequr nga prokuroria dhe në vendngjarje ishte SHÇBA, Policia vazhdonte të njoftonte prova për mbrojtjen e efektivit.
Policia e Shtetit: “Tiranë/Informacion paraprak:
“Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, shërbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta. I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jetën në spital. Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme”.
Pra vini re dy gënjeshtra të tjera, sepse rruga ishte e ndriçuar tërësisht, ndërsa Klodian Rasha vdiq në vend. Në këtë njoftim zyrtar, policia e përdor me tepri fjalën “dyshim” duke mos treguar asgjë të dyshimtë përveç errësirës. Ndërsa bie në sy, se nuk është ndaluar në flagrancë polici vrasës, por thjesht është “shoqëruar”.
Njoftimi zyrtar i SHÇBA
“Grupi i posaçëm hetimor ka kryer arrestimin e punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme. Hetimet vazhdojnë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Duke para distancën kohore nga njoftimi i policisë tek ai i SHCBA, del se për 12 orë policit nuk i ishin vënë prangat. Qëndrimi zbutës vihet re edhe tek akuza e përzgjedhur, e cila ndryshon dhe është shumë e më pak e dënueshme se sa “vrasja”.
Dëshmitë kontradiktore
Raporti hetimor i SHÇBA-së u mbështet në dy dëshmi kontradiktore, të efektivit i akuzuar për vrasjen, Nevaldo Hajdaraj dhe kolegut i patrullës, Erion Gjore. Dy efektivët e policisë të përfshirë në ndjekjen që solli më pas vdekjen e Klodian Rashës, i dhanë oficerëve të policisë gjyqësore pranë Shërbimit për
Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, SHÇBA dëshmi kontradiktore mbi ngjarjen.
Nevaldo Hajdaraj, ndaj të cilit gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë së arrestit me burg me akuzën e “vrasjes në kapërcim të kufijve të nevojshëm të vetëmbrojtjes”, deklaroi se kishte qëlluar ndërsa ishte i rrëzuar në tokë me shënjestër këmbët e viktimës dhe njëherë të dytë në këmbë ndërsa viktima po shkonte drejt një kthese.
Ndërsa kolegu i tij, Erion Gjore ka deklaruar se ka parë një përleshje mes Hajdarajt dhe viktimës dhe se të shtënat i ka dëgjuar gjatë kësaj përplasje fizike. Dëshmitë janë zbardhur në informacionin për referimin e veprës penale në prokurori të përpiluar nga SHÇBA