Shfaqet drejtori i Policisë Ardi Veliu. Ai ka postuar fotot me policin Fadil Allaraj, efektivi i Policisë që mbeti i plagosur në një nga protestat për Klodian Rashën. Allaraj është nisur për të bërë një operacion të specializuar në Turqi. Nëse Ardi Veliu do të kishte dhënë dorëheqjen, ky efektiv nuk do të ishte vënë përballë protestuesve të revoltuar për vrasjen e 25 vjeçarit.
Sipas mjekëve në Tiranë, Allaraj rrezikon të humbasë shikimin në njërin sy pasi një send i mprehtë, i dyshuar xham, i ka çarë kornean. Ministrja Manastirliu ndan fotot e nisjes së efektivit të Policisë drejt Turqisë, pas mesnate. I pranishëm është dhe kryepolici Veliu.
“Të shkuara. Efektivi i plagosur i Policisë së Shtetit, Fadil Allaraj, sapo është nisur për në Turqi ku do të kryejë një ndërhyrje të specializuar në sy, me shpresën që pas shpëtimit të masës së shqyer të syrit në ndërhyrjen e parë, të mund t’i kthehet edhe një pjesë e shikimit. Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, shkruan ministrja dhe ndan fotot e mëposhtme.
Ardi Veliu, që pas shpërthimit të protestave që kërkojnë dorëheqjen e tij, del rrallë në publik. Kjo është hera e dytë që del, pas një konferencë shtypi me Guardia Di Finanza, ku u dhanë rezultatet e vëzhgimit ajror të kanabisit në Shqipëri..
/GazetaReforma.com/