Vaksina është vërtetë diçka prioritare, por atletet e bukura dhe origjinale mbeten gjithmonë një pasion dhe hobi e një ish-sportisti.
Fotot që kanë ardhur nga dyqanet e shtrenjta dhe ato sportive të Manhatan-it në Down-Town të New York-ut, që në fakt po bëjnë xhiron e rrjetit, po tregojnë fare qartë preokupimin e kreut të qeverisë për të gjetur në to vaksina për shqiptarët.
Disa foto të kryeministrit Edi Rama, duke shëtitur dhe bërë blerje në New-York u bënë virale në rrjetet sociale.
Vetëm 4 ditë më parë, kur po nisej për në SHBA, kreu i qeverisë Edi Rama, përmes një cicërime në “Twitter”, i njoftoi të gjithë shqiptarët se po nisej drejt SHBA-ve për të siguruar vaksinën kundër Covid-19.
Pa dhënë sqarime se kë do takonte, çfarë do të bënte, apo nëse vizita e tij ishte zyrtare ose jo, ai u nis me “paratë në xhep” për të blerë me gjasë vaksina…
Gjithsesi në New-York-un e zhurmshëm dhe kaotik edhe pak shopping në qendrat tregtare duhet, sidomos kur motivi janë një palë atlete.
Së fundi ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka publikuar një foto të Ramës, i cili shihet me pallto të zezë, maskë me ngjyra dhe atlete sportive në një qendër tregtare.
Për Berishën, Rama ka 5 ditë që qëndron në New York për “vaksinën tuaj”, por edhe për pak “shoping për vete”.
“Në New York prej pesë ditësh për vaksinën tuaj por edhe për pak shopping për vete! Sb”,- shkruan ish-kryeministri Berisha.
Ndërkohë dje disa raportime në media thanë se Rama në fakt po takonte disa lobistë pranë presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Ndërkohë mesazhi i fundit që dha Kryeministri Rama, gjatë qëndrimit në SHBA ka qenë vetëm kur ai u nis në Amerikë.
“Sigurimi i vaksinës sa më parë është një prioritet i luftës sonë kundër Armikut të Padukshëm dhe s’do lemë gur pa luajtur që vaksina të fillojë të vijë sa më parë në Shqipëri!
Kontakti sy më sy me prodhuesit e vaksinës i shërben këtij qëllimi. Rrugës për në Shtetet e Bashkuara”,- ka komunikuar Edi Rama në mesazhin e fundit në “Twitter” në 5 dhjetor.
Ndërkohë, deri tani nga kryeministri Rama që poston për çdo ngjarje dhe për çdo zhvillim, nuk ka një reagim për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit në mes të Tiranës.
/GazetaReforma.com/