Qeveria vijon të shpërndajë fondet për rikonstruksionin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Ka kaluar plot një vit nga dita kur tërmeti i fuqishëm që goditi vendin tonë shkatërroi me mijëra shtëpia dhe la të dëmtuara disa të tjera.
Edhe pse u morën shumë donacione nga ndërkombëtarët dhe u siguruan miliona lekë nga buxheti i këtij viti, duhet kohë që të bëhet inspektimi dhe fondet të ndahen sipas nevojës. Kështu në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit, për financimin e rikonstruksionin pallateve dhe banesave individuale në Durrës dhe Lezhë.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, Këshilli i Ministrave vendosi. “Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 837. 115. 264 lekë, për riforcimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat) dhe njësive individuale të banimit, të cilat janë klasifikuar si objekte me dëmtime të mëdha strukturore ose dëmtime shumë të rënda jostrukturore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para në bashkitë Durrës dhe Lezhë”, thuhet në vendim.
Referuar vendimit, për bashkinë Durrës do të jepen 326. 726 .371 lekë, ndërsa bashkisë Lezhë si t’i jepet fondi në masën 510. 388. 893 lekë, për riforcimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat) dhe njësive individuale të banimit, të cilat janë klasifikuar si objekte me dëmtime të mëdha strukturore ose dëmtime shumë të rënda jostrukturore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.
Do të ketë dhe një fond të dytë
Fondi i mësipërm do të merret nga buxheti i qeverisë, ndërsa gjithashtu është miratuar dhe një tjetër fond për rikonstruksion pallatesh dhe shtëpish individuale po për bashkitë Durrës dhe Lezhë. Sipas të dhënave të vendimit, ky fond do të jetë në masën 167. 423. 052 lekë dhe do të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet të fondit të rindërtimit.
- Konkretisht, Bashkisë Durrës i transferohet fondi në masën 65l. 345. 274 lekë.
- Ndërsa, Bashkisë Lezhë i transferohet fondi në masën 102. 077. 778 lekë.