Një hetim është hapur për një mjek gjerman me përvojë në qytetin e Essen, i cili akuzohet për vrasjen e dy pacientëve me simptoma të rënda të koronavirusit. Sipas medieve të huaja pacientëve me COVID-19 u janë bërë injeksione, që ishin fatale për ta.
Mjeku 44-vjeçar, i cili ka punuar në Spitalin Universitar Essen që nga muaji shkurt fajësohet për vdekjen e dy burrave, të moshës 47 dhe 50 vjeç, të cilët po merrnin trajtim në kujdes intensiv si të sëmurë kritik.
Mjeku, i cili është arrestuar, rrëfeu një nga vrasjet duke thënë se ai donte të shpëtonte pacientin dhe të afërmit e tij nga vuajtjet e mëtejshme. Gazeta Bild raportoi se mjeku informoi familjet e pacientëve para se të bënte injeksione.
Pacientët e sëmurë rëndë në Gjermani mund ta kërkojnë vetë që jetës tyre t’u jepet fund, sipas një vendimi të gjykatës të lëshuar vitin e kaluar. Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo ka ndodhur në rastet e dy burrave që vuanin nga koronavirusi.
Eutanazia, megjithatë, është një çështje veçanërisht e ndjeshme në Gjermani për shkak të historisë së Holokaustit, kur regjimi nazist vrau 6 milion hebrenj dhe kreu eksperimente çnjerëzore në shumë prej tyre.
Sipas spitalit të Essen, mjeku u pezullua, ndërsa spitali gjithashtu kontribuon me të dhëna në hetimet e policisë për të sqaruar rastin.