Ish-presidentin Bamir Topin e kap “xhelozia” për partinë e re të sapokrijuar nga ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Jo vetëm kaq, por Topi ka marrë në mbrojtje të hapur Lulzim Bashën.
“Edhe unë krijova një formacion të ri politik (FRD), por e bëra për moralin dhe për shtetin, sepse politika po e sulmonte keqazi shtetin. Nga 2005-a e më tej, Basha dhe Topalli nuk kanë pasur asnjëherë asnjë komunikim normal. Dhe jo për faj të zotit Basha. E them me bindje këtë. Është në dorë të tij për ta marrë në konsideratë një përballje, ose për ta anashkaluar, por përsa unë i kam parë gjërat atje, i kam parë nga afër, zoti Basha ka qenë në të drejtën e tij”, deklaroi Topi.
Topi nuk ia fal Topallit, ndryshimin e kushtetutës në vitin 2008, ku presidentit i hiqeshin shumë kompetenca.
“Nuk është e lehtë të bësh një formacion të ri politik. Por e veshur me elozhe, e veshur me shumë epitete, nuk më rezulton kështu. Nëse do të ishte një njeri pa mëkate historike dhe institucionale, të jeni të sigurtë që do ta kisha inkurajuar si një gjest qytetar dhe politik. Për zonjën Topalli mjafton t’i ktheheni 21 prillit të vitit 2008. Ky është një defekt i madh edhe i medias. E ka të gjithën në arshivë dhe i shpalos materialet e arshivës në interes të politikës dhe të disa individëve dhe jo në interes të Shqipërisë”, kujtoi Topi.
Ndryshimi Kushtetues në 2008-ën, sipas Topit, është një problem shumë i madh për Shqipërinë, në favor të politikës, të disave dhe në disfavor të Shqipërisë. “Atëherë kthejini sekuencat, edhe nëse nuk jam unë në studio, gjejeni rastin, jepeni dhe do shikoni që zonja Topalli ka konfirmuar me një entuziazëm këto ndryshime kushtetuese”, deklaroi Bamir Topi.
/GazetaReforma.com/