Ministria e Shëndetësisë ka publikuar mbrëmjen e sotme udhëzimin për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve për këtë fundjavë.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, edhe kjo fundjavë do të gjejë të mbyllura qytetet e cilësuara si ‘zona të kuqe’.
Dyqanet ushqimore dhe farmacitë, do jenë hapur gjatë ditës së shtunë, deri në orën 21:00, ndërsa e diela do të jetë totalisht e mbyllur.
Sakaq, të moshuarit mund të dalin nga shtëpia deri në orën 10:00, ndërsa pas tyre të drejtë për liridalje kanë prindërit me fëmijë pas orës 11 të paraditës.
Ky urdhër ka hedhur poshtë edhe postimin e Edi Ramës, i cili me anë të një statusi në Facebook u shpreh se edhe kjo fundjavë do të ishte njësoj si e shkuara.
Por këtë të shtunë, liridalja do të jetë deri në orën 21:00 dhe jo deri në 17:30, siç edhe ndodhur javën e kaluar.
Urdhri i MSH:
Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, fundjava do të jetë e kufizuar. Nuk do të lejohen aktivitetet e biznesit, përveç farmacive dhe pikave të shitjes së produkteve ushqimore me pakicë, të cilat lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre ditën e shtunë, datë 23 Maj 2020 deri në orën 21:00. Ndërsa ditën e dielë te gjitha aktivitetet do të jenë të mbyllura. Nuk do të lejohet lëvizja e makinave, ndërsa sa i takon lëvizjes së këmbësorëve, lejohet lëvizja e pensionistëve, ditën e shtunë dhe ditën e diel, datë 23 dhe 24 maj 2020 deri në orën 10:00, të shoqëruar me jo më shumë së një person në krah. Lejohet gjithashtu lëvizja e prindërve me fëmijëve deri në moshën 14 vjeç, ditën e shtunë dhe ditën e dielë, datë 23 dhe 24 maj 2020, pas orës 11, të pashoqëruar me persona të tjerë në krah.