Stadiumi legjendar “Maracana” në kryeqytetin brazilian, Rio de Janeiro, do të kthehet në spital, për të kuruar pacientët e prekur nga koronavirusi.
Duke qenë se numri i rasteve po rritet dita-ditës në Brazil, qeveria vendosi të transformojë stadiumin në spital, pasi spitalet janë të tejmbushur.
Me një kapacitet prej 78 mijë vendesh, “Maracana” nuk është i vetmi stadium që do të kthehet në qendër shëndetësore.
Kryebashkiaku i Sao Paolos, qytetit me më shumë të prekur dhe viktima nga koronavirusi, bëri me dije se gjatë javëve të ardhshme në stadiumin “Pacembu”, do të vendosen 2000 shtretër.
Edhe ekipet e tjera të futbollit në Brazil, përfshirë Santos, Corinthias, Sao Paolo dhe Goias, janë të gatshme të ofrojnë stadiumet e tyre, në shërbim të emergjencës së krijuar nga koronavirusi.
Për shkak të koronavirusit, Federata Braziliane e Futbollit, javën e shkuar vendosi që të ndërpresë kampionatin.
Vendimi u mor pasi lojtarët e Gremios u futën në fushë me maska në shenjë proteste, pasi ishin detyruar të luanin ndërkohë që e gjithë Amerika e Jugut përballej me koronavirusin.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë braziliane, bilanci i COVID-19 është mbi 1500 të prekur dhe 25 të vdekur.
Kujtojmë këtu se në stadiumin “Maracana” , e cila është shtëpia e fitueses së Copa Libertadores në 2019-ën, Flamengo, janë mbajtur Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike verore në 2016-ën dhe finalja e Kupës së Botës në 2014-ën.