Që nga fundi i muajit dhjetor të 2019 e deri në këto momente Coronavirusi ka marrë gati 3mijë jetë njerëzish në të gjithë botën dhe ka infektuar rreth 87 mijë të tjerë.
Këtë javë virusi ka përparuar me shpejtësi, duke prekur 64 shtete në të gjitha kontinentet, ndërkohë që OBSH ka kërkuar vëmendje globale sepse, siç shprehen ata ndodhemi në prag pandemie.
E megjithatë vendi ynë ia ka dalë t’i bëj ballë virusit të rrezikshëm, pasi deri më tani nuk raportohet për asnjë të infektuar.
Ka patur raste të shumta të dyshuar si të prekur, por kanë rezultuar negativ.
Ministria e Shëndestësisë ka dalë në një deklaratë për mediat mëngjesin e sotëm, sa i përket masave të Coronavirust.
Eugena Tomini, shefja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, pjesë e Task-Forcës, tha se së fundmi janë testuar 3 raste të dyshuara, por rezultuan negative.
“Në total janë dyshuar 29 raste, por të gjitha kanë rezultuar negative. Po kryhen survejimet për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Shqipëri. Në 24 orët e fundit janë monitoruar në total 13762 udhëtarë. Rekomandojmë udhëtarët që kanë fluturuar drejt zonave të prekura të vetëkarantinohen”, tha ajo.
Po ashtu, Tomini ka bërë thirrje për të gjithë ato persona që kanë pasur kontakt me vendet që është i përhapur koronavirusi të vetëkarantinohen për 14 ditë, teksa i bën thirrje personave që të telefonojnë në numrin 127 për të treguar nëse kanë apo jo shenja të virusit, apo nëse kanë pasur kontakt me persona të prekur.
Kujtojmë se disa ditë më parë Komitetit Teknik i Ekspertëve zhvilloi një mbledhje me fokus masat paraprake për parandalimin dhe përhapjen e Coronavirsuit.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka rialokuar një fond shtesë prej 1 milion dollarësh në buxhetin e spitaleve, që do përdoret për rritjen e stokut aktual të mjeteve të mbrojtjes personale.
Ministria e Shëndetësisë rialokon një fond prej 1 milion dollarësh për mbrojtjen nga Coronavirusi