Deputeti i PD-së, Endri Hasa, u çua në këmbë në momentin kur kryeministri Edi Rama mbaroi fjalimin për ta qëlluar me vezë këtë të fundit.

Goditja e parë i kapi pjesën e barkut, ndërsa prej së dytës Rama shpëtoi i paprekur. Pas incidentit, Byroja vendosi ta përjashtonte për 10 ditë deputetin demokrat.

Ky i fundit ka vendosur që të mos dalë nga salla, ndaj për këtë arsye seanca plenare ndërpritet për të katërtën herë ditën e sotme.
“E ke për studentët”, ka thënë Hasa në momentin që sulmoi Ramën.

Pas tij deputetët e tjerë të opozitës hodhën letra në drejtim të kryeministrit.

Me sa duket opozita ka shkuar e përgatitur për një seancë të fortë pasi që në nisje kreu i PD-së Lulzim Basha ka folur me tone të larta, ndërkohë që deputetët janë pajisur dhe me vezë.

Nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha i kërkoi kryetarit të Kryesisë së Kuvendit, Gramoz Ruçit, të nxjerrë jashtë kryeministrin Edi Rama.

“Nxirr jashtë Edi Ramën, nxirr jashtë sharësin më të madh”, tha Berisha, por Ruçi e kërcënoi me përjashtim nga seanca dhe atë.







