“Mos hiqni dorë nga Kosova”/ Porosia e fundit e Vuçiçit para largimit nga Presidenca

Aleksandër Vuçiç e ka mbyllur kapitullin e tij në Presidencën e Serbisë me një porosi të qartë politike për pasardhësit: të mos heqin dorë nga Kosova. Në fjalimin e fundit si kreu i shtetit, pas dorëheqjes së paralajmëruar, ai e vendosi çështjen e Kosovës mes pikave kryesore që, sipas tij, duhet të udhëheqin politikën e Beogradit edhe në vitet e ardhshme.
“Do të duhet të mbrojmë popullin tonë në Kosovë dhe Metohi dhe të mos lejojmë ata që do të përpiqen t’i bindin të gjithë që të heqim dorë sa më shpejt nga Kosova, sepse kështu, sipas tyre, nuk do të shohim më nga e kaluara, por nga e ardhmja. Prandaj, të gjithë do të duhet t’i rezistojnë kësaj. Qytetarët le të mendojnë vetë”, deklaroi Vuçiç.
Porosia për Kosovën ishte pjesë e asaj që Vuçiç e quajti “kapitulli i ri” i Serbisë. Përveç qëndrimit ndaj Prishtinës, ai kërkoi që vendi të vazhdojë rrugën evropiane, pa shkëputur njëkohësisht marrëdhëniet me ato që i cilësoi si “miqtë tradicionalë në Lindje”.
“Serbia, duke vazhduar rrugën e saj evropiane dhe duke u kujdesur për miqtë e saj tradicionalë në Lindje, do të duhet të zhvillohet ekonomikisht edhe më shpejt”, tha ai.
Vuçiç foli gjithashtu për zhvillimin teknologjik, inteligjencën artificiale, robotikën dhe inovacionin, duke argumentuar se Serbia duhet të ecë më shpejt ekonomikisht dhe të mos mbetet pas në konkurrencën globale.
Në fjalimin e lamtumirës, ai bëri edhe një bilanc të periudhës së tij në pushtet. Vuçiç falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe kujtoi fitoret e tij në zgjedhjet presidenciale të viteve 2017 dhe 2022.
“Me mirënjohje të jashtëzakonshme, jo vetëm për dy fitoret madhështore në vitet 2017 dhe 2022, që në raundin e parë dhe me diferencë të madhe, por mbi të gjitha ju falënderoj që keni qëndruar gjithmonë në krah të vendit tuaj”, tha ai.
Një pjesë të bilancit ia kushtoi ekonomisë. Vuçiç deklaroi se papunësia në vitin 2012 ishte 25,9 për qind dhe ajo mes të rinjve 54 për qind, ndërsa tha se borxhi publik, që në kohën kur u bë kryeministër ishte 77 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sot është 43 për qind.
Ai pretendoi gjithashtu se gjatë kësaj periudhe janë hapur më shumë se 300 fabrika dhe impiante dhe se Serbia, pavarësisht se ka rreth 500 mijë banorë më pak, numëron 500 mijë të punësuar më shumë se në vitin 2012.
“Këto janë fakte, këto janë rezultatet, siç thotë tabela e rezultateve, pavarësisht nëse dikujt i pëlqen t’i dëgjojë apo jo”, deklaroi Vuçiç.
Në ditën e fundit në detyrë, ai njoftoi edhe faljen dhe amnistimin e 49 personave. Sipas tij, 23 prej tyre lidhen me zhvillimet që kanë shoqëruar Serbinë gjatë një viti e gjysmë të fundit.
“Mora vendimin për faljen dhe amnistimin e 49 personave. Prej tyre, 23 persona lidhen me të gjitha këto ngjarje të tmerrshme nëpër të cilat kemi kaluar gjatë një viti e gjysmë të fundit”, tha ai.
Megjithatë, largimi nga Presidenca nuk shënon fundin e karrierës politike të Vuçiçit. Përkundrazi, ai kalon menjëherë në një tjetër betejë elektorale. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, Vuçiç do të jetë në krye të listës zgjedhore të Partisë Progresive Serbe dhe kandidat për kryeministër.
Kështu, pas më shumë se nëntë vitesh si President, Vuçiç lë Presidencën për t’u rikthyer në garën për drejtimin e qeverisë, ndërsa mesazhi politik me të cilin mbylli mandatin ishte i prerë: Serbia, sipas tij, duhet të vazhdojë rrugën e saj pa hequr dorë nga pretendimet ndaj Kosovës.