Skip to content
Kryesore

Qeveria fundoset në dosje, Rama shpall veten të paprekur nga korrupsioni: “S’ka bir nëne të provojë se kam marrë një qindarkë”

· 4 min lexim

Mes një zinxhiri deklaratash ku përgjegjësinë për skandalet që kanë prekur njerëz dhe institucione të pushtetit të tij e ndan vazhdimisht nga vetja, Edi Rama ka bërë një tjetër deklaratë të fortë në video-mesazhin e kësaj të diele: sipas tij, nuk ekziston asnjë provë që ai të ketë marrë personalisht qoftë edhe “një qindarkë” në këmbim të firmave të hedhura gjatë viteve si kryebashkiak i Tiranës apo kryeministër.

Pas më shumë se 13 vitesh në krye të qeverisë dhe viteve të mëparshme në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Rama iu përgjigj akuzave për korrupsion duke e përqendruar argumentin te pasurimi i tij personal dhe duke deklaruar se pushtetin nuk e ka përdorur për para, prona, favore të errëta apo dhurata të paligjshme.

“Nuk ka një provë të vetme që një bir nëne ta ketë një qindarkë të tijën në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes tonë apo në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si kryebashkiak apo si kryeministër, nuk ka ndodhur kurrë, sepse nuk ka lindur ende ai lloj fenomeni. Nuk jam engjëll apo i pagabueshëm, po fajin që në mënyrë bastardë nuk kam bërë kurrë, të trajtoj për para apo për prona pushtetin që shqiptarëve u kam kërkuar për të ndryshuar Tiranën apo Shqipërinë. Kush ka përfituar të drejta kushtetuese të zhvillimit të pronës apo investime dhe falë firmës time, e di shumë mirë se çfarë flas, e di shumë që pushteti im nuk është përdorur kurrë për favore të errëta apo dhurata të paligjshme. Jam për të lënë emrin, jo për të mbushur xhepin, jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri, jam për të transformuar Shqipërinë dhe jo për të deformuar vetveten”, tha Rama.

Por korrupsioni në një qeverisje nuk matet vetëm me pyetjen nëse dikush i ka futur kryeministrit fizikisht para në xhep. Dhe pikërisht këtu deklarata e Ramës e ngushton debatin publik në kufijtë që i interesojnë atij: nga përgjegjësia për mënyrën si është ushtruar pushteti për më shumë se një dekadë, te pretendimi se askush nuk provon dot një pagesë personale ndaj tij.

Në të njëjtën dalje, Rama deklaroi se kur një zyrtar i lartë përballet me drejtësinë, çështja është “individuale”. Për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, e cila më parë kishte punuar pranë tij si këshilltare, ai përdori pikërisht këtë argument. Për veten, tani vendos një tjetër standard: më sillni provën se kam marrë një qindarkë.

Kështu, rrethi i përgjegjësisë ngushtohet gjithmonë deri në pikën ku kryeministri mbetet jashtë tij.

Kur një vartës përballet me drejtësinë, përgjegjësia është e vartësit. Kur ngrihen pikëpyetje për sistemin e qeverisjes, Rama kërkon provën e parave në xhepin e tij. Kur publikohen dosje, sulmohen mediat. Kur dalin materiale hetimore, sulmohet mënyra si drejtësia ruan sekretin. Dhe kur kërkohet llogari politike nga njeriu që drejton qeverinë prej më shumë se 13 vitesh, përgjigjja kthehet te formula: “nuk mund të lexoj mendjen e vartësve”.

Kjo është pikërisht ajo që deklarata “jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri” nuk zgjidh dot. Një kryeministër nuk ka vetëm xhepin e vet për të dhënë llogari politikisht. Ka qeverinë që drejton, njerëzit që promovon, institucionet që kontrollon ekzekutivi, firmat që hedh dhe sistemin politik që ndërton gjatë viteve në pushtet.

Dhe pas më shumë se 13 vitesh qeverisje, Rama kërkon që debati për përgjegjësinë e tij të mbyllet me një sfidë: gjeni një qindarkë që ka përfunduar në xhepin tim.

Në ditën e 120-të të protestave kundër qeverisë, ndërsa dorëheqja e tij vazhdon të kërkohet nga protestuesit, Rama jo vetëm nuk mori përgjegjësi politike, por ndërtoi një video-mesazh ku përgjegjësia vazhdimisht largohet nga maja e pushtetit.

Dhe në fund, kryeministri që prej më shumë se një dekade drejton ekzekutivin shqiptar e përmblodhi vetë mënyrën se si kërkon të gjykohet: “Jam për të lënë emrin, jo për të mbushur xhepin”.

Por çështja që mbetet për publikun dhe institucionet nuk është çfarë deklaron Rama për veten. Është çfarë tregojnë faktet, hetimet dhe përgjegjësitë konkrete për mënyrën se si është ushtruar pushteti gjatë qeverisjes së tij.