“Më goditi me pasqyrë dhe më rrezikoi jetën”/ Flet shefi i Komisariatit të Krujës pas videos virale: Më shau, e shava, por nuk e kërcënova dhe nuk e preka

Shefi i Komisariatit të Policisë së Krujës, Elton Shahini, ka reaguar pas videos që u bë virale gjatë ditës së sotme dhe ku ai shfaqet i përfshirë në një konflikt me një drejtues automjeti. Ngjarja ka ndodhur në ditët e fundit të korrikut 2026, ndërsa Shahini ka dhënë për Top Channel versionin e tij për atë që ndodhi.
Sipas tij, në momentin e incidentit ndodhej jashtë orarit të punës dhe po udhëtonte me motor drejt plazhit. Shahini pretendon se drejtuesi i automjetit që shfaqet në video po kryente manovra të rrezikshme dhe, teksa kaloi pranë tij, e goditi me pasqyrën e makinës.
“Ka qenë fundjavë, ditë pushimi zyrtare. Kam qenë duke shkuar në plazh, isha duke ecur me motor, isha në punën time. Në ato momente, shoferi që duket në video ka qenë duke ecur në mënyrë të papërgjegjshme në rrugë dhe bënte manovra të rrezikshme. Kur më ka kaluar pranë, më ka goditur me pasqyrë”, tha Shahini për Top Channel.
Pas këtij momenti, sipas tij, mes palëve ka nisur një përplasje verbale.
“Më shau, e shava”, shprehet Shahini.
Shefi i Komisariatit të Krujës mohon se gjatë konfliktit ka kërcënuar apo ka ushtruar dhunë fizike ndaj personit tjetër.
“Nuk e kam kërcënuar dhe as kam ushtruar dhunë fizike”, deklaroi ai.
Shahini këmbëngul gjithashtu se, edhe pse mban postin e drejtuesit të Komisariatit të Krujës, gjatë përplasjes nuk e ka përdorur funksionin apo autoritetin e tij zyrtar.
“Pavarësisht dhunës fizike dhe fyerjeve ndaj meje, në asnjë moment nuk kam përdorur autoritetin tim zyrtar, nuk kam kërcënuar me postin që mbaj dhe nuk jam përgjigjur me dhunë fizike”, tha shefi i Komisariatit të Krujës.
Pamjet e incidentit kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa Shahini thotë se konflikti nisi pasi drejtuesi tjetër e goditi me pasqyrën e automjetit, duke i rrezikuar, sipas tij, sigurinë gjatë lëvizjes me motor.