Skandal me mishin e derrit brazilian/ BE e ndaloi, Shqipëria vijon ta importojë me tonelata: Përfundon edhe në proshuta e kremviçe

Bashkimi Europian ka ndaluar ngarkesat me mish nga Brazili për shkak të dyshimeve mbi përdorimin e medikamenteve veterinare që përshpejtojnë rritjen e masës muskulare te kafshët dhe shpendët. Por në Shqipëri situata është ndryshe: mishi i derrit nga Brazili vazhdon të importohet dhe të përfundojë në tregun vendas.
Shifrat tregojnë për sasi të mëdha. Vetëm gjatë tre viteve të fundit, në Shqipëri kanë hyrë rreth 16 milionë kilogramë mish derri nga Brazili.
BE-ja ka vendosur ndalimin që prej 3 shtatorit, ndërsa Ministria e Bujqësisë në Shqipëri e ka zbatuar masën vetëm për mishin e gjedhit dhe të shpendëve. Mishi i derrit ka mbetur jashtë ndalimit dhe importet kanë vazhduar.
Në vitin 2024, në Shqipëri u importuan 6.4 milionë kilogramë mish derri të ngrirë, pa kocka, nga Brazili. Vlera e këtij mishi ishte rreth 1.3 miliardë lekë.
Kjo do të thotë se tregtarët e kanë blerë mesatarisht me rreth 212 lekë për kilogram, ose afërsisht 2 euro e 10 cent.
Një vit më vonë, në 2025, sasia ra me rreth 1 milion kilogramë, por sërish mbeti në nivele të larta. Shqipëria importoi rreth 5.3 milionë kilogramë mish derri brazilian, me një vlerë totale prej rreth 1.1 miliardë lekësh.
Çmimi mesatar i importit ra në rreth 209 lekë për kilogram, ose afërsisht 2 euro.
Importet nuk janë ndalur as në vitin 2026. Vetëm nga janari deri në gusht, në Shqipëri kanë hyrë edhe 4.1 milionë kilogramë mish derri nga Brazili.
Këtë herë, çmimi për grosistët ka zbritur edhe më tej, në rreth 193 lekë për kilogram, ose afërsisht 1 euro e 90 cent.
Në total, bëhet fjalë për afro 16 milionë kilogramë mish derri brazilian të futur në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.
Dhe ky mish nuk shitet vetëm si mish i freskët apo i ngrirë. Ai mund të përfundojë te konsumatorët edhe përmes produkteve të përpunuara, si proshutat dhe kremviçet.
Pra, ndërsa Bashkimi Europian ka vendosur të bllokojë mishin brazilian për shkak të dyshimeve mbi përdorimin e medikamenteve veterinare, në Shqipëri mishi i derrit nga Brazili vazhdon të hyjë në sasi të mëdha dhe të jetë pjesë e tregut vendas.