Skip to content
Kryesore

Alarm ushqimor nga Shqipëria: Italia heq nga tregu açuget me histaminë dyfish mbi normë, i eksportoi “Poseidon”

· 2 min lexim

Një ngarkesë me açuge të eksportuara nga Shqipëria drejt Italisë është hequr urgjentisht nga tregu, pasi analizat kanë zbuluar nivele të larta histamine, një ndotës biologjik që mund të shkaktojë helmim ushqimor dhe probleme serioze për shëndetin.

Rasti është njoftuar më 22 shtator në sistemin RASFF të Komisionit Evropian, pasi autoritetet italiane, gjatë kontrolleve rutinë në treg, morën mostra nga produkti dhe konstatuan një nivel histamine prej 800 mg/kg – ppm.

Shifra është dyfish mbi kufirin maksimal të lejuar prej 400 mg/kg – ppm. Pas rezultatit të analizave, autoritetet italiane urdhëruan menjëherë tërheqjen e açugeve nga tregu dhe aktivizuan sistemin evropian të alarmit për ushqimet.

Sipas Qendrës ALERT, açuget fillimisht janë importuar në Shqipëri, ku janë përpunuar dhe më pas janë rieksportuar në Itali. Kompania që ka kryer përpunimin dhe eksportin, sipas burimeve të cituara nga Ministria e Bujqësisë, është “Poseidon” shpk.

Rreziku lidhet me faktin se histamina formohet te peshqit kur aminoacidi histidinë zbërthehet nga bakteret, proces që përshpejtohet nëse produkti nuk ruhet në temperaturat e duhura, nën 4°C.

Edhe më shqetësues është fakti se histamina nuk shkatërrohet nga nxehtësia. Kjo do të thotë se gatimi, skuqja apo konservimi nuk e eliminojnë pasi ajo është formuar në produkt.

Konsumimi i peshkut me nivele të larta histamine mund të shkaktojë helmim ushqimor me simptoma të ngjashme me një reaksion alergjik. Shenjat mund të shfaqen brenda pak minutash ose deri në 2-3 orë pas konsumimit dhe përfshijnë skuqje të fytyrës dhe qafës, kruarje, puçrra në lëkurë, dhimbje të forta koke, marrje mendsh, dhimbje stomaku, të përziera, të vjella, diarre dhe takikardi.