Kamerieri dhe shefi i laboratorit në qeli, ish-kreu i SHISH në shtëpi/ Vlora Hyseni përballë ligjit: Sa burg rrezikon për sekretet dhe a mund të ndikojë te provat?

Vlora Hyseni nuk ishte një funksionare e zakonshme. Ishte drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, institucionit që administron disa prej informacioneve më të ndjeshme për sigurinë e vendit. Sot ajo është nën hetim për zbulim të të dhënave sekrete dhe përkrahje të autorit të krimit, ndërsa GJKKO ka vendosur që hetimin ta përballojë në “arrest shtëpie”.
Pikërisht këtu nis problemi.
Dosja nuk flet për një dokument të humbur apo një informacion të dalë aksidentalisht nga administrata. SPAK ka ngritur dyshime se informacione të mbrojtura nga sekreti kanë kaluar nga maja e SHISH-it te Ergys Agasi, ndërsa gjatë kontrolleve në “Equos Resort” u gjetën nëntë faqe dokumente të dyshuara me të dhëna sekrete shtetërore.
Në celularët e sekuestruar janë zbuluar gjithashtu qindra komunikime mes Agasit dhe Hysenit. Vetë ish-drejtuesja e SHISH kishte pranuar kontaktet me të, duke i lidhur ato me funksionin e saj.
Tashmë çështja nuk është vetëm se çfarë ka gjetur SPAK. Pyetja është se çfarë parashikon ligji për një funksionar të këtij niveli që dyshohet se ka nxjerrë sekretet që kishte detyrë t’i mbronte dhe përse GJKKO konsideroi të mjaftueshme që Hyseni të qëndrojë në shtëpi.
Deri në 5 vjet vetëm për nxjerrjen e të dhënave sekrete
Neni 295/a i Kodit Penal godet zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete nga funksionari publik.
Kur një funksionar, në kundërshtim me detyrën ose duke abuzuar me cilësinë e tij, u zbulon të tretëve të dhëna që ligji i përcakton si sekret, parashikohet gjobë ose deri në 5 vjet burg.
Në rastin e Hysenit, pesha e çështjes është e pazakontë pikërisht për shkak të postit.
Personi nën hetim nuk kishte thjesht akses rastësor në informacion. Ajo drejtonte institucionin e inteligjencës së shtetit. Ruajtja e informacionit sekret ishte pjesë thelbësore e përgjegjësisë së saj.
Kodi Penal përmban gjithashtu nenin 294, “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”, i cili parashikon deri në 5 vjet burg, ndërsa kur sekreti bëhet botërisht, dënimi mund të arrijë deri në 10 vjet.
Ky nen nuk rezulton të jetë pjesë e akuzave të ngritura aktualisht ndaj Hysenit, por ekzistenca e tij ngre një pyetje juridike që nuk mund të anashkalohet: si është kualifikuar saktësisht nxjerrja e materialeve dhe pse SPAK ka zgjedhur nenin 295/a në raport me dispozitat e tjera që mbrojnë sekretin shtetëror?
Përkrahja e autorit të krimit, deri në 7 vjet
Hyseni hetohet gjithashtu për “përkrahjen e autorit të krimit”.
Neni 302 i Kodit Penal parashikon deri në 5 vjet burg për formën bazë, ndërsa në rastet e përcaktuara nga paragrafi i dytë dënimi shkon nga 2 deri në 7 vjet burg.
Këto dënime nuk mblidhen mekanikisht për të nxjerrë një shifër përfundimtare. Në rast dënimi për më shumë se një vepër penale, gjykata cakton fillimisht dënimin për secilën dhe më pas dënimin përfundimtar sipas rregullave të bashkimit të dënimeve.
Por një gjë është e qartë: Hyseni nuk po përballet me një çështje administrative apo një shkelje disiplinore. Veprat penale për të cilat hetohet parashikojnë dënime me burg.
Po “tradhtia kombëtare”?
Rasti bëhet edhe më i rëndë në perceptimin publik për shkak të natyrës së institucionit që Hyseni drejtonte.
Kodi Penal nuk e trajton çdo nxjerrje të sekretit shtetëror si “tradhti kombëtare”. Dispozitat më të rënda për dhënien e informatave sekrete kërkojnë elemente të tjera, si dhënien e tyre një fuqie të huaj dhe qëllimin për cenimin e pavarësisë së vendit.
Nga materialet e bëra publike deri tani nuk rezultojnë këto elemente.
Por kjo nuk e zvogëlon pyetjen themelore të kësaj dosjeje: çfarë përgjegjësie duhet të ketë drejtuesi i shërbimit sekret kur dyshohet se informacioni që shteti ia ka besuar për ta mbrojtur përfundon te një person privat?
Dhe pas gjithë kësaj, arrest shtëpie
Këtu vendimi i GJKKO bëhet veçanërisht i diskutueshëm.
Arresti në shtëpi nuk është dënim, por masë sigurimi. Pikërisht për këtë arsye gjykata nuk duhet të shohë vetëm sa vite burg parashikon akuza. Duhet të vlerësojë nëse personi mund të largohet, të kryejë vepra të tjera ose, veçanërisht, të ndikojë në marrjen dhe vërtetësinë e provave.
Dhe kush është personi që po hetohet në këtë rast?
Ish-drejtuesja e SHISH.
Një person që deri pak ditë më parë qëndronte në majën e një strukture të ndërtuar mbi informacionin, burimet, komunikimet konfidenciale dhe sekretin shtetëror.
Kjo e bën të pashmangshme pyetjen: a është arresti në shtëpi i mjaftueshëm për të garantuar paprekshmërinë e një hetimi të tillë?
A i ka sekuestruar SPAK të gjitha pajisjet që mund të përmbajnë prova?
A janë administruar të gjitha dokumentet?
A janë marrë në pyetje të gjithë vartësit dhe personat që mund të kenë dijeni?
A ekzistojnë materiale të tjera sekrete që ende nuk janë gjetur?
A mund të kontaktohen persona që kanë pasur akses në të njëjtat informacione?
Dhe mbi të gjitha: si e përjashtoi GJKKO rrezikun e ndikimit mbi provat deri në atë masë sa burgu të konsiderohej i panevojshëm?
Këto janë pikërisht çështjet për të cilat ekzistojnë masat e sigurimit.
Kalluçi në burg, Hyseni në shtëpi
Kontrasti bëhet edhe më i fortë kur shihet pjesa tjetër e dosjes.
Fatjon Kalluçi, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, është lënë në “arrest në burg”. Ai dyshohet se i ka dërguar Agasit tri fotografi të ekspertizës së automjetit Land Rover Defender dhe hetohet gjithashtu për zbulim të të dhënave sekrete.
Embro Sulejmani është lënë po ashtu në burg. Ai akuzohet se ka ndihmuar Agasin duke i dërguar ushqime në banesën ku ky i fundit qëndronte i fshehur.
Ndërsa ish-drejtuesja e SHISH, ndaj së cilës rëndojnë dyshimet për nxjerrjen e informacioneve sekrete dhe përkrahjen e Agasit, qëndron në shtëpi.
Sigurisht, masat e sigurimit individualizohen dhe nuk përcaktohen vetëm nga emri i veprës penale. Por pikërisht për këtë arsye lind pyetja:
Çfarë pa GJKKO te Kalluçi dhe Sulejmani që kërkonte burg, por nuk e pa te ish-drejtuesja e shërbimit sekret?
Përgjigjja bëhet edhe më e vështirë për t’u marrë, pasi arsyetimi i plotë i vendimit për Hysenin nuk është publik.
Dhe kështu krijohet një paradoks që drejtësia duhet ta shpjegojë: një shef laboratori shkon në qeli për informacionin që dyshohet se i dha Agasit; një kryekamerier shkon në qeli për ushqimet që dyshohet se i çoi; ndërsa ish-kreu i institucionit që ruan sekretet e shtetit, e hetuar për dy vepra penale, qëndron në arrest shtëpie.
Çështja nuk është të kërkohet burg si hakmarrje apo dënim paraprak. Çështja është shumë më serioze: a është garantuar realisht hetimi kur në qendër të tij ndodhet një person që deri dje kontrollonte një nga strukturat më të ndjeshme të shtetit?
SPAK ka për detyrë të provojë akuzat. GJKKO ka për detyrë të garantojë procesin.
Por kur sekretet e shtetit janë vetë objekti i dosjes, standardi për mbrojtjen e provave nuk mund të jetë një detaj. Është zemra e hetimit.