Skip to content
Kryesore

GJKKO lë në “arrest shtëpie” Vlora Hysenin, ajo kyç gojën pas seancës

· 2 min lexim

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Pas rreth dy orësh në GJKKO, Hyseni doli nga ambientet e gjykatës pa dhënë asnjë deklaratë për gazetarët.

Hyseni është nën hetim për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, në kuadër të hetimeve që lidhen me Ergys Agasin. Sipas raportimeve mbi dosjen, SPAK dyshon se ish-drejtuesja e SHISH i ka vënë Agasit në dispozicion informacione të klasifikuara.

Katër ditë përpara komunikimit të masës së sigurisë, Hyseni ishte pyetur në SPAK si person në dijeni për lidhjet e saj me Agasin, i arrestuar më 26 gusht në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t. Hyseni kishte pranuar kontaktet me të, duke deklaruar se ato lidheshin me detyrën e saj.

Por në dosjen hetimore janë raportuar qindra komunikime edhe romantike mes Hysenit dhe Agasit, ndërsa gjatë kontrolleve të kryera më 22 korrik në “Equos Resort”, SPAK gjeti në automjetin e Agasit nëntë faqe dokumente që dyshohet se përmbanin të dhëna sekrete të SHISH. Prokuroria dyshon se dokumentet i ishin vënë në dispozicion nga Hyseni.

Komunikimet e sekuestruara në celularët e Agasit dhe Hysenit përfshijnë periudhën nga fundi i qershorit deri më 26 gusht, kur biznesmeni u arrestua në Durrës. Përmbajtja e tyre është bërë pjesë e hetimeve të SPAK për natyrën e kontakteve mes tyre.

Para hyrjes në GJKKO, Hyseni iu përgjigj gazetares Klodiana Lala, e cila e pyeti për materialet që dyshohet se i ishin kaluar Agasit, me deklaratën: “Si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit ‘Rogner’?”. Pas përfundimit të seancës, ish-drejtuesja e SHISH nuk iu përgjigj më pyetjeve të mediave.

Në të njëjtin procedim, GJKKO ka lënë në “arrest në burg” edhe Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin. Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, Kalluçi hetohet për veprën e parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, ndërsa Sulejmani për veprën e parashikuar nga neni 302/2.