“I çova supë, çfarë krimi kam bërë?”/ Zbardhen dëshmitë e Sulejmanit dhe Kalluçit para GJKKO, çfarë thanë për Ergys Agasin

Zbardhen dëshmitë e Embro Sulejmanit dhe Fatjon Kalluçit para GJKKO-së, ku të dy u përballën me akuzat e SPAK për veprimet që dyshohet se kanë kryer në favor të Ergys Agasit gjatë periudhës kur ai ishte në kërkim. Gjykata e Posaçme la në fuqi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”.
Sulejmani, i cili dyshohet se i dërgonte ushqime Agasit në banesën ku ky i fundit qëndronte i fshehur, deklaroi para gjykatës se e njeh atë pasi janë të dy nga Durrësi.
“Nuk e di çfarë krimi kam bërë unë, që i kam çuar supë e ushqim”, deklaroi Sulejmani.
Ndërkohë, Fatjon Kalluçi, me detyrë shef në Policinë Shkencore, mohoi akuzën e SPAK, duke deklaruar se nuk mban mend të ketë dërguar akte sekrete te Agasi. Sipas të dhënave të hetimit, Kalluçi dyshohet se në muajin gusht, para arrestimit të Agasit, i ka dërguar atij tre fotografi të ekspertizës së një automjeti “Land Rover Defender”, me targë “GG444AA”, të gjetur në “Equos Resort”.
Kalluçi dhe Sulejmani janë persona nën hetim në procedimin që lidhet me Ergys Agasin. Sipas njoftimit të GJKKO-së, Kalluçi dyshohet për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1, ndërsa Sulejmani për veprën e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Në orën 12:00 pritet të dalë para GJKKO-së edhe ish-drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni. Ndaj saj është caktuar masa “arrest në shtëpi” dhe ajo dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Seanca është caktuar për verifikimin e masës së sigurisë dhe marrjen e saj në pyetje.