Skip to content
Kryesore

“Krejt radarët e shtetit i mbyll për ty”/ Mesazhet Hyseni-Agasi: “Të du!”

· 2 min lexim

Mesazhe të tjera të përfshira në dosjen hetimore të SPAK janë bërë publike, duke zbuluar komunikime mes ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi. Bisedat përmbajnë një gjuhë të afërt mes tyre, por edhe referenca për përgjime dhe lëvizjet e strukturave shtetërore të sigurisë.

Në një prej komunikimeve, Hyseni e paralajmëron Agasin që të mos përdorë një numër tjetër telefoni, duke lënë të kuptohet se ai mund të ishte nën përgjim.

“Shpirt mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Flej rehat. Të du!”, i shkruan Hyseni Agasit, sipas komunikimit të publikuar.

Agasi më pas e pyet për personat që i quan “djemtë e mi”:

“Shpirt, a ka naj rrezik për djemtë e mi sonte?”

Përgjigjja që i atribuohet ish-drejtoreshës së SHISH është:

“Flej rehat zemër, krejt radarët e shtetit i mbyll për ty”.

Komunikimet janë pjesë e materialeve që po analizohen në kuadër të hetimit të SPAK dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi natyrën e marrëdhënies mes Hysenit dhe Agasit, si dhe mbi informacionet që dyshohet se janë shkëmbyer mes tyre.

Hyseni ishte marrë në pyetje nga SPAK edhe përpara caktimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”. Ajo kishte pranuar kontaktet me Agasin, por kishte deklaruar se marrëdhënia me të lidhej me detyrën dhe se Agasi ishte bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ të Shtetit. Materialet e publikuara nga dosja po shqyrtohen nga prokurorët në kuadër të hetimeve.

Gjatë kontrolleve të kryera më 22 korrik në “Equos Resort”, SPAK gjeti edhe nëntë faqe dokumente të dyshuara si të dhëna sekrete shtetërore, ndërsa nga pajisjet e sekuestruara janë evidentuar komunikime të shumta mes Hysenit dhe Agasit.

Komunikimet e bëra publike përfshijnë periudhën nga fundi i qershorit deri më 26 gusht, kur Agasi u arrestua në Durrës. Përmbajtja e tyre tashmë është pjesë e materialeve mbi të cilat SPAK po mbështet hetimin për raportin mes ish-drejtueses së SHISH dhe biznesmenit.