Zbulim i jashtëzakonshëm në Tepelenë/ Del në dritë qyteti antik me 6 mozaikë të shekullit IV, ambiente termale e piktura murale, spikat figura e Erosit

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë në Tepelenë, ku ekspedita shqiptaro-italiane ka nxjerrë në dritë një kompleks të pasur arkitektonik me gjashtë dysheme të dekoruara me mozaikë shumëngjyrësh, figura njerëzore, motive gjeometrike dhe fragmente pikturash murale.
Zbulimi është bërë në Qesarat gjatë fushatës së vitit 2026, në kuadër të projektit shqiptaro-italian “Arkeologjia e peizazhit në zonën Tepelenë-Memaliaj”, të organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro” të Barit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Italisë.
Gjatë gërmimeve në rrënojat e një ndërtese komplekse dhe luksoze, rreth 400-500 metra në të djathtë të rrugës kombëtare në drejtim të Tepelenës dhe Gjirokastrës, arkeologët zbuluan gjashtë sipërfaqe dyshemeje të zbukuruara me mozaikë.

Sipas specialistëve, kompleksi lidhet me periudhën romake dhe përmban dëshmi të jetës në antikitetin e vonë. Mozaikët, ndonëse pjesërisht të dëmtuar, janë ruajtur përgjithësisht në gjendje të mirë.
Mes tyre spikat veçanërisht një kompozim figurativ ku paraqitet Erosi. Krahas figurave njerëzore, mozaikët përmbajnë motive gjeometrike dhe elemente të tjera dekorative, duke e bërë zbulimin një prej dëshmive më interesante të evidentuara në këtë territor.
Gërmimet kanë nxjerrë në pah gjithashtu gjurmët e një ndërtese të madhe, ambiente termale dhe elemente të tjera arkitekturore që dëshmojnë për një jetë të zhvilluar në zonë gjatë antikitetit.

Sipas arkeologëve, kompleksi mund të ketë qenë i lidhur me një fermë më të hershme, që i përket fundit të periudhës qytetare ilire, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe transformimin e jetës në territor nga periudha ilire drejt asaj romake.
Interesi për zonën ishte rritur pas kërkimeve të vitit 2025, kur, në një sipërfaqe prej rreth 70 hektarësh, ekipi arkeologjik regjistroi 67 njësi topografike dhe identifikoi rreth 20 site, pothuajse të gjitha shumështresore.
Zbulimi i vitit 2026 ngre tashmë pyetje të reja mbi shtrirjen e vendbanimit antik dhe funksionin e kompleksit. Gjashtë mozaikët, figura e Erosit, pikturat murale dhe ambientet termale hapin një kapitull të ri për historinë e kësaj zone, ndërsa vazhdimi i gërmimeve pritet të tregojë se çfarë tjetër fshihet ende nën tokë.