“Nesër duhet ta takoj KM në 8:30”/ Hyseni informonte Agasin për takimet me Ramën, 508 komunikime mes tyre në Signal

Zbardhen të tjera komunikime mes ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasit, të cilat hedhin dritë mbi intensitetin e kontakteve mes tyre dhe informacionet që Hyseni i përcillte biznesmenit. Mesazhet tregojnë se ajo e informonte Agasin edhe për axhendën e saj institucionale, përfshirë takimet me Kryeministrin Edi Rama, drejtuesin e Policisë së Shtetit dhe partnerë ndërkombëtarë.
Detajet e reja vijnë pas publikimit të mesazheve të tjera mes tyre, ku Hyseni i drejtohej Agasit me fjalët “Zemër” dhe “shpirt”, ndërsa SPAK ngre dyshime se raporti mes tyre shkonte përtej komunikimeve në kuadër të një bashkëpunëtori të SHISH.
Në një prej komunikimeve të zbardhura, Hyseni e informonte Agasin se po pritej për të shkuar te Kryeministri.
“Po me presin me shku te KM….. Jo mo zemer une një ore nuk rri me shume me ate”.
Më 24 gusht 2026, vetëm dy ditë përpara arrestimit të Agasit, ajo e njoftonte sërish për një takim të planifikuar me Kryeministrin:
“Neser duhet ta takoj km ne 8:30”.
Komunikimet tregojnë se Hyseni i përcillte Agasit edhe informacione për lëvizjet dhe takimet e saj me partnerë ndërkombëtarë. Në një tjetër mesazh ajo shkruante:
“Me doli nje takim urgjent… Me sauditet… Kthehem nesër ne Ks prape”.
Në dosjen e publikuar dalin gjithashtu komunikime që lidhen me drejtuesin e Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Më 19 gusht 2026, Hyseni e informonte Agasin për një takim të planifikuar me të:
“Skenderi me thirri me u taku te hënën…(Skënder Hita Drejtori i Përgjithshëm i Policisë)… Te shpresojm qe ka porosit Km…”
Një tjetër komunikim, i datës 22 gusht 2026, tregon mënyrën se si Hyseni i drejtohej Agasit teksa diskutonin situatën në të cilën ndodheshin:
“Sa sh gjera na Kane bere ne…. Te gjitha shpirt… O shpirt Kjo eshte nje situate qe do ja hedhim….. Problemi eshte koha… Sa konsistenc kemi…”.
Në komunikimet e zbardhura përmenden edhe emra të tjerë të politikës. Në një mesazh drejtuar Agasit, Hyseni shkruante:
“Taulant Balla kryetar kuvendi…. Keshtu Jane infot… Bela me Taon shoku”
Në materialin e publikuar sqarohet se referencat lidhen me deputetin Taulant Balla dhe deputeten Belinda Balluku.
Por përmasat e komunikimit mes Hysenit dhe Agasit dalin edhe nga të dhënat e aplikacionit “Signal”.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore të publikuara nga CNA, nga 28 qershori deri më 26 gusht 2026, datë kur u arrestua Ergys Agasi, komunikimi mes tyre ka qenë periodik dhe i përditshëm, duke përfshirë telefonata zanore, videocall, mesazhe, regjistrime zanore dhe shkëmbim fotosh e videosh.
“Në këtë pikë duhet të theksohet se komunikimi i Kreut të SHISH, shtetases Vlora Hyseni, me personin nën hetim Ergys Agasi, deri në atë kohë dhe në kërkim nga drejtësia, është periodik (i përditshëm) dhe i tejzgjatur në kohë bisede duke perfshirë jo vetëm telefonata të thjeshta (vioce call), por dhe telefonata me video (video call) dhe dërgim e marrje fotosh e videosh, gjë që rrëzon alibinë e bashkëpunëtorit të pretenduar nga deklarimi i shtetases Hyseni”.
Të dhënat e publikuara nga dosja tregojnë konkretisht 70 thirrje hyrëse Vlora-Ergys, 17 thirrje dalëse Ergys-Vlora, 28 thirrje të humbura dhe 25 raste kur Agasi nuk i është përgjigjur Hysenit, krahas disa thirrjeve të refuzuara.
Por bilanci i përgjithshëm është edhe më i gjerë. Në funksionin BIOME të telefonit të Ergys Agasit rezultojnë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi mes tyre gjatë periudhës 28 qershor–26 gusht. Ato përfshijnë telefonata, video, komunikime zanore dhe mesazhe të formave të ndryshme.
Këto të dhëna marrin rëndësi për shkak të shpjegimit të dhënë nga Hyseni për raportin me Agasin. Ish-drejtuesja e SHISH ka pretenduar se komunikimet me të zhvilloheshin në cilësinë e bashkëpunëtorit të shërbimit.
Sipas materialit të dosjes të publikuar nga CNA, megjithatë, Hyseni nuk kishte vënë në dijeni asnjë instancë paralele apo brenda institucionit për personin që ajo e konsideronte bashkëpunëtor.
Zbulimet e reja pasojnë detajet e publikuara më herët nga Report Tv, sipas të cilave në komunikimet mes tyre Hyseni i shkruante Agasit:
“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”.
Katër ditë përpara arrestimit të tij, sipas të njëjtit raportim, ajo i shkruante gjithashtu:
“Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha.”
Hetimi ka nxjerrë edhe një tjetër element të rëndësishëm. Gjatë kontrolleve të kryera më 22 korrik në “Equos Resort”, SPAK gjeti në makinën e Agasit nëntë faqe Word me diagrame dhe të dhëna sekrete të SHISH. Agasi mësohet se ka pranuar në seancë se dokumentet i përkisnin atij dhe se i kishte lënë me qëllim që t’i gjente Prokuroria.
Mesazhet për takimet me Kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë, komunikimi i vazhdueshëm në “Signal”, 508 format e komunikimit të evidentuara në telefon dhe dokumentet sekrete të SHISH të gjetura në makinën e Agasit janë tashmë pjesë e elementeve të bëra publike mbi raportin mes ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit dhe biznesmenit.