Marrëveshje për transportin publik, qeveria subvencionon naftën për 3 muaj

Transporti publik në Tiranë pritet t’i rikthehet funksionimit me kapacitet të plotë, pas marrëveshjes së arritur mes qeverisë dhe shoqatave të transportit për përballimin e kostove të shtuara nga rritja e çmimit të naftës.
Shoqatat e Transportit Urban dhe Interurban kanë pranuar kushtet e propozuara nga qeveria, pas situatës së krijuar nga shtrenjtimi i karburantit.
Sipas marrëveshjes së arritur, qeveria do të subvencionojë naftën për një periudhë 3-mujore, masë që synon të lehtësojë kostot e operatorëve dhe të mundësojë rikthimin e plotë të flotës së autobusëve në qarkullim.
Marrëveshja vjen pasi një ditë më parë, ashtu siç ishte paralajmëruar, flota e autobusëve u reduktua me 20-30%. Ulja e numrit të mjeteve në qarkullim shkaktoi kaos dhe vështirësi për qytetarët që përdorin transportin publik në Tiranë.