Në shtator 2021, tre firma në një letër shpëtuan kompanitë e miellit nga një gjobë 5 milionë euro. Denar Biba, Ledia Matja dhe Adriana Berberi hodhën poshtë me një të rënë të lapsit punën njëvjeçare të komisionit që kishte provuar paktin e paligjshëm për rritjen e çmimit të bukës. Sot, tre vjet më vonë, i njëjti skenar po përsëritet me bulmetrat.
“Fajtorë janë fermerët,” deklaron Autoriteti i Konkurrencës më 7 nëntor 2024, ndërsa çmimet e qumështit kanë shënuar rritje 14.3% në një vit. Erzeni, Gjirofarma, Lufra dhe Shaka Boboshtica – kompanitë që kontrollojnë tregun – dalin sërish të pafajshme nga “hetimi” i Denar Bibës.
“Unë e quaj të tepërt që të vazhdoni të jeni në detyrë,” i drejtohej në korrik të këtij viti deputeti socialist Erion Braçe drejtuesit të AK-së në parlament, kur Biba raportoi për veprimtarinë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës. “Jo vetëm ju si drejtues, por i gjithë bordi AK, ju jeni kot atje.”
Por historia e Denar Bibës nuk është thjesht një histori paaftësie. Në 2018, një audio-përgjim zbuloi përpjekjen e tij për të shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg, Ledio Bianku, për çështjet e pronave që qeveria kishte atje. Skandali u mbyll pa pasoja.
Bilanci i “sukseseve” të AK-së nën drejtimin e Bibës është tronditës:
– Në telefoninë celulare: Dy kompani kontrollojnë tregun, çmimet rriten vazhdimisht
– Në karburante: Çmimet mbeten të larta edhe kur bursat botërore ulen
– Në banka: Fitime rekord 315 milionë euro në 2023, 65% rritje vetëm në janar 2024
– Në farmaci: Nga 1,575 farmaci në 2014, në 2,917 sot – shumica të kontrolluara nga pak grupe
– Në aeroportin e Rinasit: Një kompani e vetme kontrollon shërbimin e taksive
Nepotizmi duket se është traditë familjare. Gruaja e Bibës, ish-Këshilltare Ligjore në Gjykatën e Lartë, jep dorëheqjen 7 ditë para vetingut për t’u riemëruar 40 ditë më vonë në Entin Rregullator të Ujit në Ministrinë “Balluku”.
“Zgjidhjet” e AK-së janë bërë legjendare për absurditetin e tyre. Për monopolin e taksive në Rinas? Thjesht hiqni tabelën “Ndalohet taksi pa pasagjerë”.
Për rritjen e çmimeve të bulmetrave? Fajësoni fermerët.
Për karburantet? Asnjë shkelje.
Gjatë pandemisë, kur çmimet e maskave dhe dezinfektantëve u rritën në qiell, AK gjeti një zgjidhje “brilante” – gjoba qesharake që nuk kaluan 10 milionë lekë për depo farmaceutike që kishin koordinuar çmimet.
Ndërsa bankat regjistrojnë fitime rekord duke mbajtur diferenca të larta mes normave të kredisë dhe depozitave, ndërsa farmacitë e pavarura mbyllen një pas një përballë zinxhirëve të mëdhenj, ndërsa çmimet e produkteve bazë arrijnë nivele të paprecedenta, Denar Biba vazhdon të marrë rrogën e tij nga po ata taksapagues që dështon t’i mbrojë.
Pyetja nuk është më nëse AK po dështon në misionin e saj, por sa i kushton qytetarëve shqiptarë çdo ditë që Denar Biba qëndron në krye të një institucioni që duket se ekziston vetëm për të mbrojtur oligopolet që supozohet të kontrollojë.
/gazetareforma.com